TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Nëntor 2025, 18:06

Grabitja e Luvrit, prokuroria merr të pandehur një 38-vjeçare

Shkruar nga Pamfleti

Grabitja e Luvrit, prokuroria merr të pandehur një 38-vjeçare

Një zhvillim i ri ka ndodhur në hetimin mbi vjedhjen e bujshme të bizhuterive në Muzeun e Luvrit. Një grua 38-vjeçare, e arrestuar të mërkurën e kaluar së bashku me katër të dyshuar të tjerë, u akuzua zyrtarisht sot si bashkëpunëtore në “vjedhje të organizuar dhe pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim kryerjen e një krimi”.

Me kërkesë të prokurorisë, seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura. Prokuroria e Parisit nuk ka sqaruar sa nga të dyshuarit u paraqitën sot në gjykatë, por dihet se një prej tyre u lirua dje. Në total, shtatë persona janë ndaluar në lidhje me këtë rast.

Dy burrat e arrestuar më parë ishin akuzuar për vjedhje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, pasi kishin “pranuar pjesërisht akuzat”, sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau. Njëri prej tyre është një shtetas algjerian 34-vjeçar, banues në Francë, i identifikuar përmes gjurmëve të ADN-së të gjetura mbi një nga motocikletat e përdorura për arratisje. I dyti është një shofer taksie pa leje drejtimi, 39 vjeç, me origjinë nga Aubervilliers, një periferi e Parisit. Të dy ishin persona me precedent penal për vjedhje.

Sipas autoriteteve, i pari u arrestua në aeroportin Charles de Gaulle, ndërsa po përgatitej të nisej për në Algjeri; ndërsa i dyti u kap pranë banesës së tij. Prokuroria tha se nuk ka prova që ai po përgatitej të largohej nga vendi. Të dy dyshohen se janë autorët kryesorë që hynë në galeri, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tjerë prisnin jashtë për t’i ndihmuar në arratisje.

Vjedhja, e cila ndodhi në mes të ditës, në muzeun më të vizituar në botë, zgjati vetëm 7 minuta. Në këtë kohë, hajdutët grabitën bizhuteri me vlerë të vlerësuar rreth 88 milionë euro.

Bottini i grabitur mbetet ende i humbur. Gjatë arratisjes, hajdutët humbën një kurorë të stolisur me diamante dhe smeralde, dikur pronë e Perandoreshës Eugenia, bashkëshortes së Napoleonit III. Banda grabiti gjithsej tetë objekte të tjera me vlerë të jashtëzakonshme, mes tyre një varëse smeraldi dhe diamanti që Napoleoni I ia kishte dhuruar Perandoreshës Maria Luisa, si dhe një diademë me afro 2.000 diamante që i përkiste po Eugenias.

Të premten, ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, publikoi përfundimet e para të hetimit për sigurinë në Luvër, duke dhënë një vlerësim tejet kritik. Ajo theksoi se muzeu ka treguar një “nënvlerësim kronik dhe strukturor të rrezikut të ndërhyrjeve dhe vjedhjeve”, një mungesë të pajisjeve moderne të sigurisë, një menaxhim të papërshtatshëm dhe protokolle të vjetruara për reagimin ndaj incidenteve të këtij lloji.

 

Lini një Përgjigje