TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Prill 2026, 16:05

Bllokada amerikane, kërcënon Irani: Do të ndërmarrim veprime ushtarake të papara ndonjëherë

Shkruar nga Pamfleti

Bllokada amerikane, kërcënon Irani: Do të ndërmarrim veprime

Irani ka paralajmëruar se së shpejti mund të ndërmarrë veprime ushtarake të papara nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë bllokadën detare të porteve të tij, sipas raportimit të televizionit shtetëror iranian Press TV. 
 
Duke cituar një “burim të lartë sigurie”, kanali shtetëror tha se mungesa e një përgjigjeje të menjëhershme iraniane deri më tani ka qenë një përpjekje për t’i dhënë një shans diplomacisë. Megjithatë, burimi theksoi se nëse kushtet e Iranit refuzohen, SHBA-të “duhet të presin së shpejti një lloj përgjigjeje të ndryshme” ndaj bllokadës detare të vazhdueshme. 
 
Sipas Press TV, Irani është gati për “veprime ushtarake praktike dhe të pashembullta” si përgjigje ndaj asaj që e quan “pirateri detare” amerikane.  
 
Kujtomë se bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane hyri në fuqi më 13 prill 2026, pas dështimit të bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes midis Teheranit dhe Uashingtonit. Qëllimi i deklaruar i administratës amerikane është të shtojë presionin ekonomik mbi Iranin duke ndaluar hyrjen dhe daljen e anijeve nga portet iraniane, përfshirë ato në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. 
 
Ushtria iraniane dhe komanda qendrore Khatam al-Anbiya kanë paralajmëruar vazhdimisht se vazhdimi i bllokadës do të konsiderohet shkelje e armëpushimit dhe do të përballet me një përgjigje të ashpër. Disa zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar gjithashtu se nëse portet iraniane kërcënohen, asnjë port në Gjirin Persik ose Detin e Omanit nuk do të mbetet i sigurt. 

irani bllokada

Lini një Përgjigje