
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Moskën në orët e para të së enjtes, ku biznesmeni rus 36-vjeçar, Alexey Dolgikh, humbi jetën pas një aksidenti me automjet luksoz. Dolgikh, i njohur për investimet e tij në kriptovaluta, po udhëtonte me tre miq në një Lamborghini Urus, kur makina u përmbys dhe u përfshi nga flakët.
Sipas policisë, Dolgikh po drejtonte me shpejtësi mbi 150 km/h në autostradën ndërkombëtare të kryeqytetit rus. Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se ai humbi kontrollin në një kthesë, përplasi barrierat mbrojtëse dhe më pas automjeti u përmbys duke marrë flakë.
Në aksident humbi jetën edhe pasagjeri Ivan Soloviov, ndërsa dy të tjerë, Nikita Tezhikov, 21 vjeç, dhe Kiril Mokhalov, 22 vjeç, u dërguan në spitalin Botkin me fraktura dhe plagë të rënda. Pamjet nga vendngjarja tregojnë SUV-në superluksoze të përmbysur dhe të përfshirë nga zjarri, ndërsa rrugës ishin shpërndarë kartëmonedha rubla.
Autoritetet dyshojnë se shkaku kryesor i aksidentit ishte shpejtësia e tepërt dhe prokuroria ka nisur një hetim të plotë për ngjarjen. Dolgikh, pasuria e të cilit vlerësohet në disa miliona dollarë, kishte një histori të gjatë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u regjistruar 586 herë për tejkalim të shpejtësisë që nga momenti kur bleu Lamborghini-n rreth 15 muaj më parë.
I njëjti automjet ishte përfshirë edhe në një incident me armë zjarri shtatorin e kaluar, jashtë një restoranti luksoz në Moskë, por Dolgikh atëherë kishte mohuar çdo përfshirje dhe nuk u ngritën akuza ndaj tij.
Ky është rasti i dytë i vdekjes së një investitori rus në fushën e kriptovalutave në rrethana tragjike brenda javëve të fundit, duke tërhequr vëmendje të madhe në mediat e vendit.
Lini një Përgjigje