TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shkurt 2026, 09:37

Bota e Epstein: Brenda rrjetit të tij të pasurisë, pushtetit dhe intrigave

Shkruar nga Pamfleti
Bota e Epstein: Brenda rrjetit të tij të pasurisë, pushtetit dhe
Politikani britanik Peter Mandelson dhe Jeffrey Epstein /

Korrespodenca private e të ndjerit, i dënuar për krime seksuale, zbulon metodat që ai përdori për t'u bërë pjesë e rrethit të ngushtë të “1 përqindëshit” të botës... 

Kur Jeffrey Epstein dëshironte një prezantim me ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy, ai iu drejtua një miku që njihej për lidhjet e tij me të fuqishmit. “Do të dëshiroja ta takoja” – i shkruante në tetor 2013 financieri Olivier Colom-it, një ish-diplomat francez.

“Nëse mendon se është argëtuese... Do ta pyes” - iu përgjigj Colom. “Ai mund të jetë argëtues. Dhe tani mund të flasë edhe anglisht!” - ia ktheu Epstein. Ky shkëmbim është një nga mesazhet e shumta të përfshira në publikimin e miliona email-eve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, të cilat ofrojnë një shembull të rrallë dhe të detajuar në një ekosistem okult pasurie dhe pushteti.

Aty, Epstein dhe bashkëpunëtorët e tij mblidhnin me furi kontakte, tregtonin favore dhe fshinin kufijtë midis marrëdhënieve personale dhe ndikimit publik. Të marra së bashku, email-et tregojnë se si Epstein - një i dënuar për krime seksuale që vdiq në burg në vitin 2019 - e pozicionoi veten në qendër të një lloj “Davosi nëntokësor”: një rrjet që shtrihej në mbarë globin dhe që përfshinte një princeshë norvegjeze, zyrtarë të lartë nga bota e financës dhe ish-krerë shtetesh e qeverish evropiane.

Nga korrespodenca, nuk është e qartë nëse Epstein e siguroi ndonjëherë takimin me Sarkozy. Një përfaqësues i ish-presidentit francez tha se nuk gjetën asnjë provë që të ketë ndodhur një takim i tillë.

Gjithsesi financieri amerikan ia doli të depërtonte në Paris. Epstein ishte një vizitor i rregullt në kryeqytetin francez, ku zotëronte një apartament në “Avenue Foch”, fare pranë Harkut të Triumfit.

Në mars 2019, Epstein i dërgoi Steve Bannon-it, ish-strategut të presidentit amerikan Donald Trump, një foto të tij jashtë Luvrit me ish-Ministrin francez të Kulturës, Jack Lang. “Tani te piramida. Me gjithë qeverinë!” - i shkroi ai. “Foto e mahnitshme... Një lëvizje e bukur për pushtet!” - iu përgjigj Bannon.  

Manipulatori

Ky episod mishëron më së miri metodën Epstein: shfrytëzimin e lidhjeve ekzistuese dhe shpesh fryrjen e rëndësisë së tyre, për të përforcuar statusin e tij mes të pasurve dhe të pushtetshmëve të botës.

Kjo praktikë vazhdoi deri në arrestimin e tij në korrik 2019 nën akuzat për trafikim seksual dhe konspiracion për trafikimin e të miturve. Në kohën kur Epstein po pozonte me ish-Ministrin e Kulturës në Luvër, karriera politike e Lang kishte perënduar.

Fotoja ndoshta është bërë në kuadër të një ceremonie që festonte 30-vjetorin e piramidës ikonike të qelqtë të muzeut, ku Lang ishte ftuar si ministri që kishte nisur ndërtimin e monumentit në vitet 1980.   Gjithsesi, ekzagjerimi ishte pjesë e një modeli më të gjerë manipulimi që vërehet në korrespodencën e tij, pjesa e fundit e së cilës u publikua me urdhër të Kongresit të SHBA.

Përgjatë viteve, bisedat e Epstein-it ndërthurnin rregullisht çështjet personale me ato profesionale, me oferta për favore materiale apo mbështetje morale që rridhnin lehtësisht midis marrëdhënieve që ktheheshin në miqësi, dhe anasjelltas.

Pavarësisht nëse propozonte një çaj në Paris apo dërgonte ftesa për në ishullin e tij privat në Karaibe – ku prokurorët pretenduan se ai abuzonte seksualisht me vajza të mitura - Epstein prezantohej si një mik i vëmendshëm për kolegët e tij të “1-përqindëshit”, të cilët ndanin detaje intime të jetës së tyre teksa kërkonin këshillat e tij.

Shpesh duke punuar përkrah Ghislaine Maxwell, financieri arriti të depërtonte në sferat më të larta të elitës globale.

Konfidenti

Ndihma rridhte në të dyja drejtimet. Në vitin 2014, diplomati Olivier Colom e falënderoi “mikun e tij të madh” për mbështetjen gjatë telasheve të tij martesore dhe i kërkoi këshilla për financat personale. Të dy burrat bënin shaka edhe për gratë.

“Ku je tani?” pyeti Colom. “Në ishullin tim në Karaibe, me një akuarium plot me vajza” – u përgjigj Epstein. “Jam i sigurt që do ta shijoja pamjen...” - shkroi Colom. Gjatë po asaj kohe, miliarderi ishte rregullisht në kontakt me shefen e Colom-it, Ariane de Rothschild.

Epstein i ofroi asaj këshilla sigurie për udhëtimet, duke i shkruar: “Kam pasur njohje me fëmijë të pasurish që duan të bëjnë një jetë ‘normale’. Problemi është se ne jemi një botë tjetër me këndvështrime të tjera”.

Kur ajo iu ankua për sulmet antisemitike ndaj familjes së saj, ai i sugjeroi të përdorte pajisje akustike për shpërndarjen e turmave ose projektorë zhurme.  

Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde

Në korrespodencën e tij, del se Epstein ishte i aftë t'u ofronte njerëzve atë që kërkonin. Jack Lang e përshkroi atë si një “Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde” të sofistikuar. “Jeffrey që njoha unë ishte një njeri i apasionuar pas artit, simpatik” - tregoi ai.

Pavarësisht se Epstein kishte pranuar fajësinë në vitin 2008 për nxitje të një të miture në prostitucion, ai arriti të bëhej një njeri i besuar i drejtuesve, i zyrtarëve të lartë, madje edhe i familjeve mbretërore. “Eja na shpëto. Po vdes nga mërzia” - i shkroi Princesha Mette-Marit e Norvegjisë në një email në vitin 2012.

“Jam në gjueti për gra. Parisi është interesant, por unë preferoj skandinavet” - iu përgjigj Epstein. “Parisi është i mirë për tradhti bashkëshortore...” - iu përgjigj princesha me shaka. Më vonë, ajo deklaroi se i vinte keq “që ka pasur çfarëdolloj kontakti me Epstein”.

Njeriu i Davosit  

Epstein u integrua edhe në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos. Ai ishte i afërt me presidentin e WEF, Børge Brende. Në email-et e tyre, ata shkëmbenin mendime se si “Davosi mund të zëvendësojë vërtet OKB-në”.

Brende, që fillimisht i mohoi kontaktet me të, e pranoi më vonë se kishte darkuar të paktën tri herë me Epstein-in, përfshirë një darkë për ditëlindjen e tij në shtëpinë e financierit në Nju Jork. Tri javë pas një emaili ku Brende shkruante se “sushi do të ishte i mahnitshëm” për darkën e radhës, Epstein u arrestua. Një muaj më vonë, ai do të vdiste në burg./ Përshtati Pamfleti nga “Politico.eu”

 

bota e epstein pushteti dhe intrigat

Lini një Përgjigje