
Gaza mes urisë ekstreme, kaosit në ndihmat humanitare dhe tensioneve politike...
Kriza humanitare në Gaza ka kaluar çdo kufi të imagjinatës.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, e përshkroi realitetin si “makth mbi tokë”, ku njerëzit nuk janë më as të gjallë e as të vdekur: “Janë trupa që ecin”, tha ai, duke shtuar se edhe vetë punonjësit e ndihmës po rrëzohen nga uria, ndërsa ushqimi i tyre i vetëm është një tas thjerrëza në ditë, kur arrijnë ta sigurojnë.
Në terren, shpërndarja e ndihmave është kthyer në skenë kaosi dhe dhune. Gratë që kërkonin ushqim për fëmijët u përballën me gaz lotsjellës dhe sprej piperi nga kontraktorët amerikanë që menaxhojnë ndihmën nëpërmjet nismës Gaza Humanitarian Foundation, të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli. “Na thirrën të afrohemi, pastaj na urdhëruan të kthehemi mbrapsht. Më pas na spërkatën me gaz lotsjellës. A është kjo ndihmë humanitare?”, pyeti një prej grave.
Ndërkohë, politika vijon të ecë me ritme krejt të tjera. Familjarët e pengjeve izraelite ngritën alarmin pas tërheqjes së papritur të ekipit negociator nga bisedimet për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh. Hamasi ka dorëzuar një kornizë të re për shkëmbimin e të burgosurve, të cilën zyrtarët izraelitë e kanë cilësuar si “të punueshme”, por mediat pranë qeverisë thonë se marrëveshja mbetet e largët për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pozicionimin e ushtrisë izraelite gjatë çdo truce.
Në të njëjtën kohë, parlamenti izraelit votoi pro aneksimit të Bregut Perëndimor, një vendim simbolik, por politikisht domethënës, që Irani e cilësoi si provë të “ekspansionizmit izraelit”. Ky veprim ndez më tej tensionet rajonale dhe i jep Teheranit një argument të fuqishëm për ta rritur presionin mbi Izraelin.
Kjo krizë nuk po e prek vetëm shoqërinë palestineze. Në vetë Izraelin, polarizimi politik po arrin nivele të reja. Një grua izraelite 73-vjeçare, terminalisht e sëmurë, u arrestua për planifikimin e një atentati me raketëhedhës ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilin ajo e konsideronte përgjegjës për “shkatërrimin e shtetit”. Ky episod ekstrem tregon tensionet e brendshme dhe dëshmon se Netanyahu po ruan pushtetin me çdo kusht, madje duke e mbajtur të hapur frontin e luftës, pasi qetësia mund të rikthente në rend të ditës çështjet e tij gjyqësore.
Ai që i ka vënë kapak është ultranacionalisti izraelit dhe ministri i ekstremit të djathtë Amihai Ben-Eliyahu. "E gjithë Gaza do të jetë hebreje... qeveria po shtyn përpara që Gaza të zhduket. Falë Zotit, po e zhdukim këtë të keqe. Po shtyjmë përpara popullsinë që është edukuar me Mein Kampf-in", tha ai.
Në skenën ndërkombëtare, bota thjesht vështron. SHBA duket se e mbështet në heshtje strategjinë ushtarake të Netanyahut, ndërsa pjesa tjetër e vendeve mjaftohet me rezoluta të pafuqishme. Ndërkohë, Gaza është mbushur me “kufoma që ecin” dhe kriza humanitare ka marrë përmasa biblike, por askush nuk merr guximin ta ndalë këtë spirale dhune dhe urie.
Përfundimi është i hidhur: ndërsa qytetarët palestinezë luftojnë për një tas thjerrëza, liderët politikë ruajnë pushtetin, rajoni rrezikon përshkallëzim të mëtejshëm dhe bota, me gjithë retorikën humanitare, vazhdon të qëndrojë spektatore. /Përgatiti “Pamfleti”
Lini një Përgjigje