TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Korrik 2026, 11:26

Britania lehtëson xhepat e qytetarëve, Andy Burnham ul çmimet e biletave të autobusit

Shkruar nga Pamfleti

Britania lehtëson xhepat e qytetarëve, Andy Burnham ul çmimet e

Kryeministri i ri britanik Andy Burnham ka prezantuar një tjetër masë për të lehtësuar barrën e kostos së jetesës, duke vendosur një kufi maksimal prej 2 paundësh për biletat e autobusëve, i cili do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.

Sipas qeverisë britanike, skema e re do të ulë çmimin e udhëtimit me autobus deri në një të tretën, me synimin për ta bërë transportin publik më të përballueshëm për miliona qytetarë.

Për zbatimin e kësaj mase do të vihen në dispozicion 454 milionë paundë. Fondi do të sigurohet përmes rishikimit të prioriteteve të shpenzimeve publike, si pjesë e paketës së re ekonomike të qeverisë së Burnham.

"Lidhjet e mira dhe të përballueshme të transportit janë thelbësore. Askush nuk duhet të mbetet pas sepse nuk mund të përballojë koston e udhëtimit. Kufiri prej 2 paundësh për biletat e autobusit do t'u japë qytetarëve më shumë frymëmarrje përballë kostos së jetesës", deklaroi kryeministri Andy Burnham.

Njoftimi vjen vetëm një ditë pasi qeveria e re britanike shpalli heqjen e TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike për familjet, një masë që pritet të hyjë në fuqi më 1 tetor. Kostoja e saj do të mbulohet përmes anulimit të projektit të identitetit dixhital, me vlerë 1.8 miliardë paundë.

Burnham ka bërë të ditur se kjo nuk do të jetë masa e fundit. Sipas tij, qeveria do të prezantojë edhe iniciativa të tjera në ditët në vijim, me fokus mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve me të ardhura më të ulëta, në përpjekje për të zbutur ndikimin e kostos së lartë të jetesës.

andy burnham

Lini një Përgjigje