Eksperti i sigurisë thotë se protesta ka ndryshuar axhendën politike të vendit dhe ka detyruar mazhorancën të mbajë në gatishmëri ministrat dhe deputetët edhe gjatë verës
Protesta që prej 53 ditësh zhvillohet përpara Kryeministrisë ka hyrë tashmë në historinë politike të Shqipërisë. Kështu u shpreh analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i cili tha se për herë të parë pas shumë vitesh, një protestë ka arritur të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e qeverisë dhe të gjithë mazhorancës.
I ftuar në podkastin "Të Pashoq", Kulla deklaroi se ndryshe nga vitet e tjera, këtë verë qeveria nuk po funksionon me ritmin normal të pushimeve, pasi zhvillimet politike e kanë mbajtur në gatishmëri të vazhdueshme.
"Kemi një ngjarje e cila është e paprecedentë. Mund të ngjajë pak me protestën që zhvillohej një herë në javë poshtë zyrës së Erion Veliajt, por këtu zhurma është shumë më e madhe sepse protesta është përballë qeverisë dhe ka marrë jehonë edhe në mediat botërore. Duam apo nuk duam ne, dy muajt e fundit të jetës politike të qeverisë Rama 4 kanë qenë tërësisht të ndikuara dhe të fokusuara nga protesta", u shpreh Kulla.
Sipas tij, protesta ka ndryshuar edhe mënyrën se si po sillet mazhoranca, duke detyruar drejtuesit e saj të qëndrojnë në gatishmëri edhe gjatë sezonit veror.
"Ne kemi qenë të mësuar që vinte korriku, opozita shkonte me pushime dhe politika rikthehej në shtator. Edhe qeveria kishte pak a shumë të njëjtin ritëm. Këtë herë është hera e parë që kryeministri, kryetarja e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar, sekretari i përgjithshëm e të tjerë u thonë deputetëve, ministrave dhe drejtorëve: 'Sivjet nuk ka pushime. Edhe po shkuat në plazh, do të rrini afër, sepse situata mund të ndryshojë nga një moment në tjetrin'", tha ai.
Kulla e krahasoi klimën politike me një nga momentet më të vështira të historisë së vendit, duke theksuar se një mobilizim i tillë është parë vetëm gjatë krizës së vitit 1997.
"Unë, që e njoh prej shumë vitesh politikën shqiptare, e kam parë këtë vetëm një herë. Ka ndodhur në vitin 1997, kur vendi u destabilizua plotësisht. Vetëm atëherë ka ekzistuar një nivel i tillë gatishmërie dhe vëmendjeje nga drejtuesit e shtetit. Prandaj mendoj se këto 53 ditë protestë kanë shënuar historinë politike të këtij vendi si asnjëherë më parë", deklaroi Kulla.
Eksperti i sigurisë u ndal edhe te ndikimi që protesta ka pasur mbi komunikimin politik të kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se ajo është kthyer në temën qendrore të debatit publik.
"Pavarësisht se zoti Rama i ka vënë gjoksin protestës edhe mediatikisht, është e qartë se kryefjala e fjalorit të tij politik është dhe mbetet protesta. Një ditë sulmon njërin, një ditë algoritmet, një ditë një çështje tjetër, por në fund gjithçka kthehet te protesta. Kjo tregon se ajo ka arritur të imponojë axhendën politike të qeverisë", u shpreh ai.
Sipas Kullës, protesta ka prodhuar pasoja që do të mbeten edhe në të ardhmen, ndërsa opozita, sipas tij, duhet të reflektojë për dobësitë e saj.
"Ajo që protesta i ka bërë imazhit të kësaj mazhorance dhe kryeministrit Rama, në nivel mediatik, në rrjetet sociale dhe në perceptimin diplomatik, nuk ia ka bërë askush më parë. Janë efekte të pakthyeshme. Ndërkohë, opozita duhet të ndërtojë një platformë të re dhe të bëjë reforma të thella, sepse problemet e saj nuk zgjidhen me pak makiazh politik", përfundoi Kulla.
Lini një Përgjigje