
Nga Musolini te Putini, despotët kanë projektuar gjithmonë imazhin e një trupi hyjnor dhe të pathyeshëm që personifikon shtetin. Por pas fasadës së muskujve dhe propagandës fshihet frika paranojake nga plakja, i vetmi kundërshtar që nuk e burgosin dot...
Në Sabaudia, një qytet i ndërtuar rishtazi mbi kënetat e thara të Pontines, Benito Musolini doli nga makina e tij Alfa Romeo. Ishte viti 1934 dhe Italia ishte në kulmin e “Betejës për Grurin”.
Trupi 50-vjeçar i Musolinit mbartte idealin e vetëmjaftueshmërisë fashiste. Ai u zhvesh deri në brez përpara Fermës Numër 685, gati për kamerat dhe aparatet fotografike që po e prisnin. Ndërsa fshatarët që po vështronin këndonin këngë popullore, ai hodhi grurë në një makinë shirëse qeveritare për një orë të tërë, “duke u djersitur pa masë”, sipas një raporti të kohës të revistës “Time”.
Pastaj futi në xhep pagën e një punëtori ferme, u ngjit mbi makinë dhe iu drejtua publikut të tij. Vizioni i tij për qytetin, për shtetin, ishte i fortë dhe po ashtu ishte edhe ai vetë.
Musolini ka të ngjashmit e tij kudo në botën e sotme, ku liderë të të gjitha llojeve organizojnë sesione fotografike që i kornizojnë ata si mishërime fizike, të paprekshme dhe të ngjashme me zotat e vetë shtetit.
Një Kim Jong-un obez shihet në ekran duke kalëruar mbi një kalë të shkretë në Malin Paektu, dhe më pas porosit që ky imazh të fiksohet në piktura. Përpara se të rrëmbehej, Nicolás Maduro stërvitej me trupat venezueliane në hangaret e aeroportit.
Dhe pastaj nuk mund të harrojmë imazhet e Vladimir Putinit në Siberi me syze dielli të stilit të viteve 2000, duke nxjerrë gjoksin zbuluar në egërsinë e Tuvës si një “Action Man” moskovit.
Një set fotografik i vitit 2009 e përshkruan imazhin e tij si njeri të natyrës: atje ai peshkonte, kalëronte, notonte në stilin flutur, ulej në një pemë i veshur me rroba ushtarake kaki. Kali në fjalë i përkiste një bariu vendas.
Në shenjë falënderimi për xhiron, Putini i dha djalit të bariut orën e tij zvicerane. Në një kohë kur oligarkët rusë pasuroheshin në jahte në Monako, Putini, i cili sapo ishte zëvendësuar si president nga Dmitry Medvedev, ishte i zënë duke mishëruar mashkulloritetin e ashpër rus (ndërkohë që mbante shumicën e levave të pushtetit).
Tre vjet më vonë, ai u kthye përsëri në detyrë. Putini ka qenë prej kohësh mjeshtër i një propagande të tillë. Ai ka bërë gjueti peshku me fuzhnjë, xhudo, hokej mbi akull; ka zbritur deri në fund të Liqenit Baikal me nëndetëse.
Por tani presidenti rus është 73 vjeç dhe trupi i tij, instrumenti sovran i Rusisë, ka ndryshuar. Prej vitesh qarkullojnë zëra se Putini përdor një ushtri me njerëz që i ngjajnë (sozi). Dhe kjo do të kishte kuptim: për një udhëheqës, forca somatike (trupore) e të cilit përfaqëson atë të kombit, të qenit i pranishëm fizikisht ka rëndësi.
Sozitë të bëjnë më të sigurt dhe më të disponueshëm. Zyrtarët e inteligjencës ukrainase kanë vënë në dukje prej kohësh ndryshimet në gjatësinë e Putinit, formën e veshit e kështu me radhë, duke sugjeruar përdorimin e “të paktën tre personave (sozive) që shfaqen periodikisht”, deklaroi Kyrylo Budanov, shefi i spiunazhit të Ukrainës, në vitin 2022.
Të tjerë thonë se procedurat kundër plakjes ose edhe përdorimi i steroideve kanë më shumë gjasa të shpjegojnë pamjen në ndryshim të presidentit. Natyrisht, vetë Putini i mohon të gjitha këto teori. Por vazhdojnë të ndodhin gabime të dukshme.
Javën e kaluar, zëvendëskryeministri për bujqësinë e thirri presidentin me një emër tjetër - “Pal Laich”, për të cilin hulumtuesit pretendojnë se është një pseudonim për një sozi të supozuar të quajtur Pavel Nikolaevich.
Nëse presidenti përdor zëvendësues apo jo, kjo është një gjë e vogël në rrjedhën e madhe të precedentëve diktatorialë. Historianët shkruajnë se figura nga Saddam Husseini te Josif Stalini i shpëtuan atentateve dhe mashtruan inteligjencën e huaj me sozitë e tyre.
Sidomos në kontekstin sovjetik të Stalinit, mashtrimi dhe imazhet e inskenuara ishin tërësisht të normalizuara, pjesë e gramatikës së udhëheqjes. Sot shqetësimi më i madh për Putinin duket se është jetëgjatësia. Sepse fiksimet presidenciale duket se shpesh bëhen fiksime qeveritare dhe Kremlini e ka bërë një prioritet kërkimin shkencor kundër plakjes.
Sipas Wall Street Journal, shkencëtarët rusë po përgatisin eksperimente me printimin e organeve, krioterapinë (trajtimi përmes ngrirjes) dhe ksenotransplantimin, në të cilin organet njerëzore rriten brenda trupit të derrave miniaturë.
Ata pretendojnë se synojnë të përsosin zëvendësimin e organeve deri në vitin 2030, gjë që ndoshta është pak më shumë se një fantazi politike e pabazuar në kërkime të publikuara, duke pasur parasysh se shumë programe ruse janë bllokuar nga financimi perëndimor që nga pushtimi i Ukrainës.
Sidoqoftë, iniciativa “Teknologjitë e Reja të Ruajtjes së Shëndetit” ka përfituar fonde prej 26 miliardë dollarësh dhe po zhvillon një trajtim me terapi gjenetike, “një nga rrugët më premtuese në luftën kundër plakjes”, sipas zëvendësministrit të Shkencës të Kremlinit.
Kjo nxitet kryesisht nga frika e njohur e presidentit nga rënia e formës fizike. Putini njihet si adhurues i krioterapisë dhe, gjatë Covid-it, ai ishte një germofob (frikë patologjike nga mikrobet) i njohur, duke përdorur tavolina takimesh të gjata për të imponuar distancë dhe për të frikësuar vizitorët.
Porositja e kërkimeve shkencore shumë të shtrenjta për jetëgjatësinë në kohën e një lufte që shërben si “grirëse mishi”, mund të duket si lëvizja e një egoisti. Por ajo pasqyron paranojën që kaplon shumë tiranë. Demokracia i zëvendëson liderët e saj; vazhdimësia e pushtetit nuk mbështetet te vazhdimësia e mishit.
Ndërkohë, në mitin e njeriut të fortë të Putinit, L'État, c'est moi (shteti jam unë); mbijetesa e sundimtarit është ajo e regjimit dhe kjo nuk është askund më e vërtetë sesa në shtetet aq të nënshtruara ndaj intrigave sa Rusia, e gatshme për komplote kabinetesh.
Edhe në demokraci, ankthi trupor i liderit të fortë përshkon imazhin e tij publik. Në SHBA, Presidenti Trump duket se vazhdimisht po negocion me spekulimet e mediave për brishtësinë e tij fizike. Mijëra kamera me të cilat përballet çdo ditë kërcënojnë ta kapin atë duke dremitur në mbledhjet e kabinetit, ose “duke fshehur një çalim”, ose duke ecur si hije nëpër korridoret e Shtëpisë së Bardhë “i pa grimuar”.
Media nuk do asgjë më shumë sesa të vështrojë të nxirat në duart e tij, të mbuluara shpesh nga pudra më e trashë që mund të ekzistojë. Putini dhe Kim, të cilët janë më të ashpër me kameramanët jomiqësorë, kapen rrallë mat në këtë mënyrë.
Por ajo që Trumpit i mungon deri tani në fuqinë e bullizimit të medias, e kompenson me referenca të vazhdueshme ndaj virilitetit (fuqisë) së tij, duke filluar nga viti 2015, kur raporti i një mjeku supozohej se profetizoi ngjitjen e “individit më të shëndetshëm të zgjedhur ndonjëherë në presidencë”.
Një shekull pas manovrave të Musolinit në një zonë rurale, pesha e mbretit-zot përfaqëson ende soliditetin e një kombi. Megjithatë, ndërsa Putini, Trump, Kim dhe Maduro vazhdojnë të plaken në publik, ata u nënshtrohen vëzhgimeve të paprecedenta e të pashmangshme edhe për ata që kontrollojnë rreptësisht shtypin.
Për këta liderë të epokës së rrjeteve sociale, transparenca dhe disponueshmëria paraqesin një dilemë vdekjeprurëse: si mund të vazhdoj t’i tregoj muskujt e mi një publiku që tani mund të shikojë, analizojë dhe publikojë kalbjen time?
Ecjet dhe ngërdheshjet janë “Thembra e Akilit” e udhëheqësit autoritar të fortë që po plaket. Të paktën për Putinin, zgjidhja qëndron te shkencëtarët e regjimit dhe ndoshta edhe te kotecet e derrave miniaturë që bartin organe njerëzore.
Trumpi përballet me këtë sfidë në një mënyrë tjetër, me sigurime të vazhdueshme verbale për aftësinë e tij. Gjatë fundjavës ai pretendoi se kishte arritur një rezultat perfekt në testin kognitiv, që tregonte një “inteligjencë ekstreme”.
Krahasojeni këtë me talljet e tij ndaj dridhjeve të fundit të jetës së “Biden-it të përgjumur” dhe bëhet e qartë se viriliteti është po aq kritik në sferën politike në Amerikë sa në Rusi dhe Korenë e Veriut.
Libri me kujtime i Jill Biden, View from the East Wing (Pamje nga Krahu Lindor), i publikuar së fundmi, përshkruan në detaje rrezikun e vërtetë të brishtësisë së një presidenti. Rënia e aftësive njohëse të bashkëshortit të saj imponoi një lloj “qeverie zombi” të drejtuar nga këshilltarë të pazgjedhur.
Ish-Zonja e Parë kujton natën kur bashkëshorti i saj mori lajmin për një kancer të padiagnostikuar të prostatës dhe habinë e saj që “njeriu më i fuqishëm në botë, një njeri që ka një ekip mjekësor - jo thjesht një mjek, një ekip mjekësor, rreth tij 24 orë në ditë, mund të përfundonte me kancer aq të avancuar”.
Dhe ndoshta ky është ankthi i vërtetë, ai që bashkon të gjithë liderët, autokratë ose jo: në dallim nga fati i partive dhe aleancave politike, proceset misterioze të trupit nuk mund të spiunohen apo të mposhten gjithmonë.
Shkatërrimet fizike dhe mendore që imponon mosha janë tërësisht demokratike dhe ndonjëherë u shpëtojnë ushtrive të mjekëve dhe miliardave të financimit të kërkimit qeveritar. Nuk është çudi që disa sundimtarë e kthejnë shëndetin në një fetish: është një nga gjërat e vetme që ata nuk mund ta kontrollojnë dot./ Përshtati "Pamfleti" nga “UnHerd”
Lini një Përgjigje