Bota26 Shkurt 2024, 15:10

Diplomati renegat i Kremlinit: Putin ndalet vetëm duke armatosur Kievin!

Shkruar nga Gabriele Carrer
Diplomati renegat i Kremlinit: Putin ndalet vetëm duke armatosur Kievin!
Boris Bondarev /

Boris Bondarev, 44 vjeç, u largua nga shërbimi diplomatik rus në majin e vitit 2022, në shenjë proteste ndaj të ashtuquajturit “operacion special ushtarak”, pra pushtimit të Ukrainës të nisur nga udhëheqësi rus Vladimir Putin më 24 shkurt të atij viti. Sot ai jeton në mërgim me gruan në Zvicër, ku ka shërbyer nga viti 2019 dhe deri në dorëheqjen e tij si diplomat i përfaqësisë ruse në Kombet e Bashkuara në Gjenevë.

Si ndiheni sot?

S’mund të ankohem! Jetoj këtu në Zvicër dhe mendoj se jam më mirë se shumë rusë të tjerë që janë larguar nga vendi. Përpiqem të bëj gjithçka që mundem për të qenë i dobishëm në këtë situatë, për të tërhequr vëmendjen mbi disa çështje që mendoj se janë të rëndësishme, për të shpjeguar se çfarë po ndodh, dhe si duhet të përballemi me të.

Jeni penduar ndonjëherë për zgjedhjen tuaj?

Nganjëherë mendoj se nëse nuk do të kisha dhënë dorëheqjen, do të kisha punën time, rrogën dhe banesën time në Moskë. Përditshmëria ime do të ishte pak a shumë e qëndrueshme. Nuk do të varesha nga ndihma që marr nga qeveria zvicerane.

Por nuk do të isha aspak i lumtur që ta duroja gjithë këtë çmenduri. Mendoj se liria e fjalës dhe të menduarit në mënyrë të pavarur, është diçka shumë më me vlerë. Është shumë më mirë se sa të qëndrosh në rehatinë relative, kur mund të ndihesh si një kukull.

A keni marrë kërcënime me vdekje që nga ajo kohë?

Jo!

Çfarë mendoni për vdekjen e Alexey Navalny-t?

Nuk jam i sigurt nëse ai është vrarë drejtpërdrejtë. Mund të ketë vdekur si pasojë e kushteve ekstreme, të cilave iu nënshtrua për 3 vitet e fundit, dhe pavarësisht të cilave e ruajti çuditërisht ndjenjën e tij të humorit. Nuk mendoj se do të dimë më shumë në këtë moment. Ndoshta një ditë, kur të ketë një hetim të pavarur, mund të mësojmë të vërtetën.

A ka një mesazh nga Vladimir Putini tek kjo vdekje?

Mesazhi është se kushdo që vepron në mënyrë aktive kundër tij do të eliminohet, ndëshkohet, burgoset ose minimumi do të internohet. Nëse Navalny është vrarë, atëherë Putin mund të ketë dashur të sigurohet që të mos ketë elementë të aftë për të ndikuar mbi opinionin publik përpara zgjedhjeve presidenciale.

Por nuk besoj se Navalny ishte së fundmi një “halë” në sytë e Putinit. Ai ishte lideri opozitar më i fortë dhe më i famshëm, por jo i vetmi. Sepse janë edhe figura si Vladimir Kara-Murza dhe Ilya Yashin. Tani do të shohim funeralin, nëse do të ketë një të tillë.

Në çfarë kuptimi?

Ne pamë shumë njerëz të vendosin lule në kujtim të Navalny-t. Dhe unë nuk mendoj se Putini dëshiron demonstrata nga qindra mijëra njerëz në të gjithë Rusinë që mblidhen së bashku për të vajtuar dikë që vdiq në burg. Pra edhe në këtë rast, të flasësh për vdekjen e Navalny-t nuk duket se është në interesin e Putinit. Po ashtu dimë se Putini bëri shumë gjëra që nuk dukej se ishin në interesin e tij më të mirë. S’mund të përjashtojmë asgjë.

A i frikësohet Putin reagimit të Perëndimit ndaj vdekjes së Navalny-t?

Nuk e besoj. Putini i frikësohet veprimeve konkrete dhe jo reagimeve retorike nga Perëndimi. Ka një përrallë ruse të shekullit XIX: një kuzhinier hyn në kuzhinë, dhe sheh një mace duke ngrënë mish. “Si guxon? Ti s’duhet ta bësh këtë”- i bërtet ai. Macja e dëgjon, por vazhdon të hajë. Sot Perëndimi po sillet si kuzhinieri ndërsa Putin si macja. Sepse nuk ka një përgjigje të vërtetë ndaj tij. Putin do të shqetësohej nga një reagim i tillë siç është dërgimi i raketave në Ukrainë. Ndërkohë me llafet e Perëndimit ai vetëm qesh.

A është forca, gjuha e vetme që kupton Putin?

Po, në mentalitetin rus koncepti i respektit, është shumë i lidhur me atë të frikës. Dhe për Putinin mund të fitosh respektin e dikujt, vetëm duke e trembur atë. Ai është mësuar me kritikat, pjesërisht sepse sheh një rënie të mbështetjes së SHBA-së dhe Evropës për Ukrainën. Vetëm duke treguar forcën, duke dërguar më shumë armë në Kiev, ai do të nisë të mendojë nëse ka shkuar shumë larg, dhe se ka ardhur koha e negociatave.

Respekti i kuptuar si frikë, është një koncept shumë mafioz. A është Rusia e Putinit një shtet mafioz?

Po, edhe pse është më e ndërlikuar se sa kaq. Shteti rus përbëhet nga dy nivele. Në atë më të lartin qëndron mafia, e përbërë nga Putin dhe miqtë e tij. Pra disa ministra, drejtues kompanish shtetërore, biznesmenë por edhe figura që pavarësisht se nuk kanë një pozicion zyrtar, janë ndër ata që vendosin.

Më pas të gjitha vendimet joformale zbresin në nivelin e dytë, ku edhe zyrtarizohen. Meqenëse niveli më i lartë përbëhet nga marrëdhëniet e informacionit, dhe jo nga procedurat apo mekanizmat, pa Putin apo një nga miqtë e tij, në rrezik do të ishte i gjithë sistemi.

A e ka ende nën kontroll Putin këtë sistem?

Në rast se Putin e fiton luftën, ai mund të qëndrojë në krye të Rusisë edhe për disa vite të tjera. Mund të imponojë një marrëveshje paqeje për Ukrainën dhe Perëndimin, duke përfshirë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë që të ngadalësojë rënien e ekonomisë.

Tani ai është 71 vjeç. Mund të ketë ende 10 ose 20 vjet për të jetuar, gjatë të cilave mund të përpiqet të përsërisë “përvojën e tij të mirë” në Ukrainë në vende të tjera, përfshirë anëtarët e NATO-s. Situata në çdo rast do të ishte e destinuar të përkeqësohej.

Po sikur ta humbë luftën?

Nëse humbet, tensionet në sistem do të rriteshin shumë më shpejt. Pra, kjo varet kryesisht nga vendet perëndimore, nëse duan që Ukraina të fitojë dhe Putini të humbasë apo siç shkruan Elon Musk në X, Rusia nuk do të mposhtet kurrë, sepse kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Në fakt Rusia është mundur shumë herë në historinë e saj, si çdo vend tjetër. Në çdo rast, besoj se në këtë luftë Putin ka vënë bast jetën dhe karrierën e tij. Përndryshe nuk do ta kishte nisur.

A ka ndonjë alternativë ndaj Putinit?

Tani është e vështirë të shihet diçka e tillë. Por vitin e kaluar me aventurën e Yevgeny Prigozhin, ne pamë njerëz të motivuar dhe të mirë-armatosur, të cilët mund të bënin pothuajse gjithçka pa i kundërshtuar askush në popullatë. Pra nëse situata do të ndryshojë, në skenë mund të dalë dikush tjetër si ai.

Në mediat perëndimore, ka disa që ngrenë dyshimin se pasardhësi i Putinit mund të jetë edhe më i rrezikshëm se ai, qoftë edhe vetëm sepse Putin është diçka e njohur. A është kështu?

Askush nuk mund ta thotë me siguri. Por kjo logjikë e ka një problem themelor: Putin nuk është i pavdekshëm. Lufta në Ukrainë është vepër e tij, por shumica e njerëzve pranë tij nuk e deshën. Sot e ndjekin sepse nuk shohin alternativë tjetër. Por sapo ai të dalë nga skena, ata mund të përpiqen ta fajësojnë për luftën, të arrijnë një marrëveshje me Ukrainën, dhe të kthehen tek raportet normale me Perëndimin, nga i cili nuk duan të distancohen.

Pse?

Sepse sytë e tyre janë ende të përqendruara tek Perëndimi, tek bankat zvicerane, vilat në Majemi dhe ato në liqenin e Komos. Pronarët e tyre nuk duan të shkojnë me pushime në Kinë apo Dubai. Për shembull, ata duan të shkojnë në Itali, edhe për arsye të afërsisë kulturore. Ka edhe një element tjetër.

Cili?

Vetëm 5 për qind e rusëve e mbështesin luftën. Ata janë një pakicë shumë e zëshme, sepse e dinë që kanë mbështetjen e qeverisë. Por shikoni sesa njerëz dolën dhe bënë homazhe për Navalny-n, duke rrezikuar burgun. Ndërkohë, askush nuk paraqitet në funeralet e mbështetësve të luftës.

Askush nuk protestoi ndaj arrestimit të radikalit Igor Girkin, i famshëm për pushtimin e Donbass-it në 2014, dhe që sot ndodhet në burg për kritikat ndaj Putinit se ishte shumë i dobët ndaj Ukrainës. Për këtë arsye, unë besoj se ata që vijnë pas Putinit do të përpiqen të ndalojnë luftën dhe të nisin negociatat e paqes. Si do ndodhë kjo? Varet se kush do të jetë në krye të vendit./ Përshtati Pamfleti nga “Formiche.net”

diplomati renegat putin kievi