Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, i rrëzuar nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump të konkretizojë kërcënimet e tij dhe të ndërhyjë ushtarakisht në Iran për të “shpëtuar popullin” nga regjimi i Ajatollah Ali Khamenei.
Në një intervistë për agjencinë Reuters, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku zyrtarëve iranianë u është ndaluar pjesëmarrja, Pahlavi deklaroi se ka shenja që qeveria iraniane ndodhet në prag të kolapsit dhe se një sulm i jashtëm mund ta dobësonte ose ta përshpejtonte rënien e saj.
“Është çështje kohe. Shpresojmë që një sulm i tillë ta përshpejtojë procesin dhe populli të mund të rikthehet në rrugë për ta çuar deri në fund rrëzimin përfundimtar të regjimit”, u shpreh ai.
Pahlavi jeton në Shtetet e Bashkuara dhe ka kaluar pjesën më të madhe të jetës jashtë Iranit. Ai theksoi se qytetarët iranianë po përballen me represion të ashpër, duke iu referuar një vale arrestimesh dhe fushate frikësimi muajin e kaluar, gjatë së cilës u ndaluan mijëra persona me qëllim parandalimin e protestave të reja.
Demonstratat nisën më 28 dhjetor si protesta paqësore në Pazarin e Madh të Teheranit për shkak të vështirësive ekonomike dhe më pas u përhapën në qytete të tjera të vendit.
Opozita iraniane mbetet e fragmentuar mes grupeve dhe fraksioneve ideologjike rivale, përfshirë monarkistët që mbështesin Pahlavin, të cilët nuk kanë një strukturë të organizuar të dukshme brenda vendit.
Muajin e kaluar, në një intervistë për Reuters, presidenti Trump u shfaq i rezervuar lidhur me nivelin e mbështetjes që Pahlavi gëzon brenda Iranit.
Megjithatë, Pahlavi argumentoi se negociatat me Teheranin nuk do të sjellin rezultate. “Qytetarët shpresojnë që në një moment të vendoset se nuk ka kuptim të vazhdohet me negociata. Ky është momenti që SHBA-të të ndërhyjnë dhe të bëjnë atë që presidenti Trump ka premtuar. Ndërhyrja është një mënyrë për të shpëtuar jetë”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje