TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shkurt 2026, 12:12

Dosja Epstein trondit Forumin Ekonomik Botëror, nën hetim drejtori ekzekutiv për lidhjet me pedofilin e dënuar

Shkruar nga Pamfleti

 

Dosja Epstein trondit Forumin Ekonomik Botëror, nën hetim drejtori
Jeffrey Epstein dhe Borge Brende

Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka nisur një hetim të pavarur ndaj drejtorit të tij ekzekutiv, Borge Brende, për të sqaruar kontaktet e tij të mëparshme me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.

Vendimi erdhi pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, të cilat përmendin disa takime dhe komunikime mes Brende dhe Epstein.

Në një deklaratë zyrtare, organizata me seli në Gjenevë, e njohur si organizatore e Forumit vjetor të Davosit, bëri të ditur se Bordi Drejtues i ka kërkuar Komitetit të Auditimit dhe Rrezikut të shqyrtojë çështjen dhe se ky i fundit ka vendosur nisjen e një hetimi të pavarur. 

Dokumentet amerikane tregojnë se Brende ka marrë pjesë në tre darka pune ku ka qenë i pranishëm edhe Epstein, si dhe ka pasur komunikime me të përmes emailit dhe mesazheve telefonike. Vetë Brende, ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë dhe drejtues i WEF që nga viti 2017, ka deklaruar se kontakti i tij me Epstein ka qenë i kufizuar.

Ai ka sqaruar se takimi i parë ka ndodhur në vitin 2018 në Nju Jork, në një darkë ku ishte ftuar nga ish-zëvendëskryeministri norvegjez Terje Rod-Larsen. Sipas tij, në vitin 2019 ka marrë pjesë edhe në dy darka të tjera të ngjashme, ku kanë qenë të pranishëm diplomatë dhe përfaqësues të biznesit. Përveç këtyre takimeve dhe disa mesazheve elektronike, Brende thekson se nuk ka pasur marrëdhënie të tjera me Epstein.

“Nuk kam qenë plotësisht i informuar për të kaluarën dhe aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein në atë kohë,” thuhet në deklaratën e Brende. Ai shprehu keqardhje që nuk kishte kryer një verifikim më të thelluar përpara se të pranonte ftesat për takim, duke shtuar se, po të kishte qenë në dijeni të akuzave dhe dënimeve ndaj Epstein, do t’i kishte refuzuar menjëherë këto kontakte.

Forumi Ekonomik Botëror bëri të ditur se Brende do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij si drejtor ekzekutiv gjatë zhvillimit të hetimit, i cili do të kryhet nga këshilltarë të jashtëm të pavarur. Organizata thekson se hetimi nuk nënkupton paragjykim, por synon të sqarojë faktet dhe të ruajë standardet etike të institucionit. 

jeffrey epstein borge brende forumi ekonimik boteror

Lini një Përgjigje