Forumi Ekonomik Botëror ka hapur një hetim të pavarur ndaj shefit të tij ekzekutiv, Borge Brende, për të sqaruar marrëdhëniet e tij me financierin Jeffrey Epstein, raportoi agjencia Reuters.
Institucioni me seli në Gjenevë, organizator i Forumit të Davosit, bëri të ditur se po shqyrton të dhënat e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, sipas të cilave Brende ka zhvilluar tri darka pune me Epstein dhe ka komunikuar me të përmes email-eve dhe mesazheve SMS.
Në një deklaratë zyrtare, Forumi theksoi se Bordi Drejtues i ka kërkuar Komitetit të Auditimit dhe Riskut të shqyrtojë çështjen, i cili më pas ka vendosur nisjen e një hetimi të pavarur, si pjesë e angazhimit për transparencë dhe integritet institucional.
“Në kuadër të këtyre kontakteve, Bordi Drejtues i kërkoi Komitetit të Auditimit dhe Riskut të hetonte çështjen, i cili më pas vendosi të nisë një hetim të pavarur. Ky vendim thekson angazhimin e Forumit për transparencë dhe ruajtjen e integritetit të tij”, thuhej në deklaratën e Forumit.
Forumi njoftoi gjithashtu se Brende, ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë dhe shef ekzekutiv që nga viti 2017, e ka mbështetur plotësisht procesin dhe e ka kërkuar vetë zhvillimin e këtij shqyrtimi.
Nga ana e tij, Brende sqaroi se takimi i parë me Epsteinin kishte ndodhur në vitin 2018, gjatë një darke në Nju Jork, me ftesë të ish-zëvendëskryeministrit norvegjez Terje Rød-Larsen. Ai shtoi se në vitin 2019 kishte marrë pjesë në dy darka të tjera të ngjashme, ku ishin të pranishëm edhe diplomatë e drejtues biznesi.
Sipas Brendes, këto takime, së bashku me disa komunikime përmes email-eve dhe mesazheve SMS, përbëjnë të gjithë nivelin e kontakteve të tij me Epsteinin. Ai theksoi se nuk kishte pasur dijeni për të kaluarën dhe aktivitetet kriminale të këtij të fundit, duke shprehur keqardhje që nuk kishte kryer verifikime më të thelluara.
“Nëse do të kisha qenë në dijeni të së kaluarës së tij, nuk do të kisha pranuar asnjë nga ftesat apo komunikimet”, deklaroi Brende.
Forumi Ekonomik Botëror bëri të ditur se Brende do të vijojë ushtrimin e detyrës së tij si shef ekzekutiv, ndërsa hetimi do të kryhet nga avokatë të jashtëm të pavarur.
Lini një Përgjigje