TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Shkurt 2026, 07:17

Dosjet Epstein dhe frika nga kolapsi i Buckinghamit; Mbreti Charles i hap dyert policisë

Shkruar nga Pamfleti
Dosjet Epstein dhe frika nga kolapsi i Buckinghamit; Mbreti Charles i hap dyert
Mbreti Charles

Pallati Buckingham deklaron gatishmëri për të bashkëpunuar me policinë, ndërsa dalin në dritë dokumente të reja që rëndojnë pozicionin e Dukës së Jorkut...

Mbreti Charles ka reaguar për here të parë publikisht pas valës së re të publikimit të dokumenteve që lidhen me skandalin Epstein. Mbreti Charles ka deklaruar se Pallati Buckingham është i gatshëm të mbështesë autoritetet policore, nëse kjo kërkohet, lidhur me akuzat që përfshijnë vëllanë e tij, Andrew Mountbatten-Windsor.

Në një deklaratë zyrtare, një përfaqësues i Pallatit theksoi se “Mbreti ka bërë të qartë, me fjalë dhe me veprime të paprecedenta, shqetësimin e tij të thellë për akuzat që vazhdojnë të dalin në dritë në lidhje me sjelljen e zotit Mountbatten-Windsor”.

Sipas njoftimit, “këto pretendime janë çështje për të cilat duhet të përgjigjet vetë zoti Mountbatten-Windsor, por nëse Policia i drejtohet Pallatit, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, siç është e pritshme”.

Policia konfirmoi se po shqyrton nëse ekzistojnë baza të mjaftueshme për të hetuar një kallëzim të paraqitur nga organizata republikane Republic, e cila akuzon Andrew-n për keqpërdorim të mundshëm të funksionit publik dhe shkelje të sekretit të dokumenteve shtetërore.

Email-et dhe dokumentet konfidenciale

Sipas email-eve të përfshira në grupin e ri të dokumenteve të lidhura me Epstein, ish-princi dyshohet se i ka përcjellë financierit raporte nga vizita zyrtare në Singapor, Hong Kong dhe Vietnam, si edhe informacione të ndjeshme për mundësi investimi.

Konkretisht, më 30 nëntor 2010, ai dyshohet se i ka dërguar Epstein-it raporte shërbimi që sapo i kishte marrë nga këshilltari i tij i atëhershëm, Amit Patel, vetëm 5 minuta pas marrjes së tyre. Po ashtu, më 24 dhjetor 2010, ai thuhet se ka përcjellë informacione mbi mundësi investimi në Afganistan, të cilat klasifikoheshin si “konfidenciale”.

Sipas udhëzimeve zyrtare, përfaqësuesit tregtarë kanë detyrim të rreptë ruajtjeje të konfidencialitetit për informacione të ndjeshme tregtare dhe politike që rrjedhin nga misionet zyrtare.

Dosjet Epstein dhe frika nga kolapsi i Buckinghamit; Mbreti Charles i hap dyert

“Mendimet tona janë me viktimat”

Deklarata e Pallatit nënvizon se “mendimet dhe solidariteti i Mbretit dhe Mbretëreshës kanë qenë dhe mbeten me viktimat e çdo forme abuzimi”. Më herët, gjatë një vizite të Mbretit Charles në Clitheroe, nga turma u dëgjua një pyetje drejtuar atij: “sa kohë keni që e dinit për Andrew-n?”, ndërsa pjesa tjetër e të pranishmëve reagoi duke e kundërshtuar ndërhyrjen.

Një deklaratë e ngjashme u publikua edhe nga Pallati Kensington, në emër të Princit dhe Princeshës së Uellsit, të cilët shprehën “shqetësim të thellë” për zbulimet e reja dhe theksuan se “mendimet e tyre mbeten te viktimat”.

Akuza dhe materiale të reja

Pas publikimit të rreth tre milionë dokumenteve të tjera që lidhen me Epstein, presioni ndaj Andrew-t është shtuar. Në mesin e pretendimeve përfshihet edhe ai se një grua e dytë është dërguar në Mbretërinë e Bashkuar nga Epstein për marrëdhënie seksuale me të. Dosjet përmbajnë gjithashtu fotografi që pretendohet se e shfaqin atë në një situatë komprometuese me një grua të shtrirë në tokë.

Në qendër të vëmendjes ka dalë edhe ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, pasi disa email-e me firmën “Sarah” dyshohet se përmbajnë kërkesa drejtuar Epstein-it për ndihmë financiare.

Javën e kaluar, Andrew u zhvendos më herët se sa ishte planifikuar nga rezidenca mbretërore Royal Lodge në Windsor, drejt pronës private të mbretit në Sandringham. Në tetor 2025, pas një vale të mëparshme zbulimesh mbi lidhjet e tij me Epstein, atij iu hoqën titujt e princit dhe të dukës.

Andrew mohon kategorikisht çdo përfshirje në veprime të paligjshme, duke këmbëngulur se përmendja e emrit të tij në dosjet Epstein nuk përbën provë faji. /Përshtatur nga BBC/

 

mbreti charles mbreteria e bashkuar epstein skandali

Lini një Përgjigje