TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Mars 2026, 11:53

Drejton praktikisht Iranin/ Kush është Mohammad Bagher Ghalibaf, njeriu hije që do negociojë me amerikanët

Shkruar nga Pamfleti
Drejton praktikisht Iranin/ Kush është Mohammad Bagher Ghalibaf,
Mohammad Bagher Ghalibaf

Figura “kryesore” e Iranit me të cilën thuhet se komunikojnë SHBA-të, pa informuar Izraelin

Eliminimi i lidershipit të Iranit dhe mungesa e pazakontë nga daljet publike e ajatollahut të ri Mojtaba Khamenei kanë nxjerrë në pah një figurë si bashkëbisedues kryesor, të paktën për amerikanët.

Presidenti Trump e kishte lënë të kuptohej këtë, kur deklaroi se është në komunikim me një figurë të lartë të Iranit, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për Khamenein.

Personi që po del nga hija është kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili sipas një raportimi të sotëm të Yedioth Ahronoth pritet të jetë ai që do të marrë pjesë në bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara më vonë gjatë kësaj jave në Pakistan. Vetë ai i hodhi poshtë fillimisht këto pretendime, duke i cilësuar si lajme të rreme që synojnë të ndikojnë tregjet e naftës.

Megjithatë, sipas të njëjtit raportim, Uashingtoni nuk e ka informuar Izraelin për këto kontakte me kryetarin e parlamentit iranian, i cili ndodhet në “shënjestër” të izraelitëve.

Kush është Mohammad Bagher Ghalibaf

Profili i Ghalibaf paraqitet nga Jerusalem Post, duke cituar burime, si një figurë e fuqishme e IRGC-së (Garda Revolucionare Islamike), me një të kaluar të thellë ushtarake dhe një histori të gjatë kandidimesh të pasuksesshme për presidencën.

I lindur në vitin 1961, Ghalibaf iu bashkua Gardës Revolucionare që në themelimin e saj në vitin 1980 dhe u ngjit në radhët gjatë luftës Iran-Irak, duke u bërë një nga komandantët më të shquar.

“Është një njeri i sistemit në një mënyrë që pak politikanë të tjerë janë”, deklaroi Dr. Raz Zimmt, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS) dhe ekspert i çështjeve iraniane. “Ndryshe nga klerikët e moderuar të së kaluarës, Ghalibaf ka ‘lidhjen me Soleimanin’. Ai ishte koleg dhe bashkëpunëtor i afërt i gjeneralit të ndjerë Qasem Soleimani, gjë që i jep një nivel besueshmërie brenda IRGC-së që një civil nuk mund ta arrijë”.

Pavarësisht ndikimit të tij, Ghalibaf ka dështuar vazhdimisht të fitojë presidencën, duke kandiduar pa sukses katër herë.

Megjithatë, sipas Dr. Zimmt, këto dështime zgjedhore nuk nënkuptojnë mungesë pushteti. “Shohim një ndarje të qartë rolesh në Teheran. Ndërsa presidenca merret me administrimin e përditshëm politik, Ghalibaf – që nga maji 2020 si kryetar parlamenti, ka marrë në thelb përgjegjësinë për menaxhimin strategjik dhe ushtarak të shtetit”.

Pragmatist apo populist i korruptuar

Për mbështetësit e tij, Ghalibaf është një “konservator pragmatist”, një njeri që gjatë kohës si kryetar i bashkisë së Teheranit tregoi se mund të menaxhojë një burokraci komplekse dhe të arrijë rezultate konkrete. Për kritikët, ai është një populist i zhytur në korrupsion sistemik.

Gjatë mandatit të tij si kryebashkiak, ai u përball shpesh me akuza se përdorte lidhjet me IRGC për t’u mbrojtur nga skandalet e korrupsionit. “Është shumë i korruptuar”, thekson Zimmt, “por në kontekstin e Lindjes së Mesme, kjo ndonjëherë do të thotë se është një person me të cilin mund të bësh marrëveshje. Ai e kupton gjuhën e pushtetit dhe interesave, jo vetëm doktrinën fetare”.

Pavarësisht reputacionit si pragmatist, Ghalibaf vazhdon të përdorë retorikë të ashpër, tipike për elitën e regjimit. Vetëm këtë javë, një postim nga llogaria e tij zyrtare në platformën X shkaktoi reagime në Uashington dhe Jerusalem, ku ai deklaroi se “përveç bazave ushtarake, edhe entitetet financiare që financojnë buxhetin ushtarak të SHBA-së janë objektiva legjitime”.

Sipas analizës, deklarata të tilla tregojnë se, edhe pse mund të konsiderohet më i “menaxhueshëm” krahasuar me figura si Mojtaba Khamenei, ai mbetet një mbështetës i fortë i hegjemonsë rajonale të Gardës Revolucionare.

 

ghalibaf irani shba

1 Komente

  1. v
    vt

    Duket burre serioz, persian i vertete! Po nuk do e lene hienat te gjalle!

    Lini një Përgjigje