TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Shkurt 2026, 09:23

Dy të tretat e spiunëve të dënuar në Evropë punonin për Rusinë

Shkruar nga Gabriele Carrer

Dy të tretat e spiunëve të dënuar në Evropë

Një analizë suedeze rindërton evolucionin e spiunazhit në kontinent dhe konfirmon se Moska mbetet kërcënimi kryesor, me 47 dënime për spiunazh në 17 vitet e fundit. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut...

Rusia nuk po lufton vetëm në Ukrainë. Ndërsa dronët dhe aktet e sabotimit i sfidojnë kufijtë e NATO-s, Moska po zhvillon një luftë paralele, më të heshtur por jo më pak të shtrirë: atë të spiunazhit në Evropë. Shifrat e përpiluara në mënyrë sistematike për herë të parë në një raport të Agjencisë Suedeze të Kërkimit të Mbrojtjes janë shumë domethënëse. Gjatë viteve 2008-2024, në 33 shtete evropiane që i përkasin Bashkimit Evropian ose NATO-s, janë dhënë 70 dënime të formës së prerë për spiunazh.

Nga këto, 47 raste, që përbëjnë gati 70 për qind të totalit, kishin të bënin me aktivitete të kryera në emër të Rusisë. Kina renditet e dyta me vetëm 6 raste, e ndjekur nga Irani dhe Turqia me nga 3 secila, ndërsa Bjellorusia numëron 2 raste. Ky është grupi më i madh i të dhënave i grumbulluar ndonjëherë mbi dënimet për spiunazh në Evropë. Përfundimi i autorëve të studimit, të cilët punuan nën mandatin e tre agjencive suedeze të inteligjencës, është i prerë: numri i madh i rasteve të zbuluara dëshmon gjerësinë dhe vazhdimësinë e aktiviteteve ruse në kontinent.

Sot, Rusia përfaqëson kërcënimin kryesor të spiunazhit në Evropë. Por fakti më shqetësues nuk është ai që pasqyron raporti, por ai që mbetet i fshehur. Estonia kryeson renditjen me 19 dënime, e ndjekur nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut me nga 8 secila, Lituania me 7 dhe Letonia me 6 dënime. Pra, epiqendra gjeografike mbetet krahu lindor i Aleancës. Por çfarë ndodh me pjesën tjetër të Evropës? Trembëdhjetë nga 33 vendet e marra në shqyrtim nuk kanë regjistruar asnjë dënim të vetëm në 17 vjet.

Rasti më tipik është Belgjika, ku Brukseli shërben si selia e NATO-s, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Megjithatë, në gati dy dekada, aty janë regjistruar vetëm dy dënime për spiunazh. Autorët e raportit vërejnë se është thuajse e pamundur që një qendër politike dhe ushtarake me një rëndësi të tillë të ketë qenë shënjestër e vetëm dy operacioneve të ndjekura penalisht.

Kjo “heshtje statistikore” vlen edhe për shtete të tjera strategjike si Republika Çeke, Irlanda dhe Italia. Në Itali, i vetmi rast që figuron në të dhëna është ai i Walter Biot, kapitenit të fregatës së Marinës, i cili u arrestua në mars të vitit 2021 ndërsa u dorëzonte dokumente të klasifikuara të NATO-s zyrtarëve rusë në këmbim të 5 mijë eurove. Ai u dënua me 29 vjet e 2 muaj burg, duke shënuar një rast serioz por që mbetet i izoluar.

Raporti të kujton thënien e famshme të Sherlock Holmes: “Nuk duhet pasur dyshim te zhurma, por te qeni që nuk leh!”. Mungesa e dënimeve nuk do të thotë se nuk ka aktivitet armiqësor, por mund të pasqyrojë boshllëqe ligjore, vështirësi në mbledhjen e provave, kufizime në mbrojtjen e burimeve ose një preferencë politike për t’i dëbuar diplomatët në heshtje në vend të gjyqeve publike.

Puna e agjencisë suedeze rrëzon gjithashtu stereotipin e spiunit klasik. Vetëm gjysma e të dënuarve hyjnë në kategorinë tradicionale të personave me qasje të brendshme në informacione sekrete. Pjesa tjetër përbëhet kryesisht nga civilë, pasi 72 për qind e të dënuarve nuk i përkisnin strukturave ushtarake ose qeveritare. Mosha mesatare e tyre është 48 vjeç dhe thuajse të gjithë janë burra; vetëm 4 gra janë të përfshira në këto statistika.

Raporti identifikon 10 lloje operacionesh që shkojnë përtej imazhit të agjentit të fshehtë. Përveç bashkëpunëtorëve tradicionalë, ekzistojnë edhe ideologët që motivohen nga nostalgjia sovjetike, vëzhguesit e rekrutuar përmes rrjeteve sociale për të fotografuar infrastrukturën, agjentët që punësohen për një mision të vetëm, si dhe ndërmjetësit apo kriminelët e përfshirë në trafikim dhe sabotim. Ky është një ekosistem fluid, ku një vëzhgues mund të shfrytëzojë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen ose të jetë pjesë e rrjeteve të diasporës.

Lidhur me motivimin, vazhdon të mbetet i vlefshëm modeli klasik i parave, ideologjisë, shtrëngimit dhe egos. Më shumë se gjysma e të dënuarve morën shpërblim financiar, ndonjëherë të shoqëruar me shantazh. Në vendet baltike, ideologjia dhe lidhjet kulturore me Rusinë mbeten faktorë të rëndësishëm, ndërsa shtrëngimi shfaqet kryesisht te kontrabandistët e shantazhuar nga shërbimi sekret rus, FSB.

Megjithatë, ajo që po ndryshon rrënjësisht janë metodat e rekrutimit të spiunëve. Kontaktet personale dhe diplomatike po pasohen nga platformat dixhitale si Telegram, Facebook, Discord dhe TikTok.

Raporti dokumenton raste të individëve që janë vetëofruar si bashkëpunëtorë pasi janë ekspozuar ndaj propagandës online. Që nga viti 2021, ka pasur një rritje të agjentëve të gatshëm që rekrutohen shpejt në internet për detyra të kufizuara dhe që më pas braktisen.

Objektivat e Rusisë janë të gjera dhe përfshijnë gjithçka, nga planet e NATO-s dhe sistemet e armëve, deri te infrastruktura e energjisë, transporti dhe proceset politike. Sektori i energjisë del në raportin suedez si veçanërisht i ndjeshëm, pasi goditja e rrjeteve energjetike mund të destabilizojë të gjithë shoqërinë.

Një fakt tjetër i habitshëm është se shumë informacione të mbledhura dukeshin të padëmshme ose ishin publike, por vlera e tyre qëndron te aftësia e shërbimeve ruse për t’i grumbulluar dhe përpunuar ato për të ndërtuar harta komplekse.

Së fundmi, raporti identifikon 4 dobësi strukturore në Evropë, siç janë dallimet në kornizat ligjore, diversifikimi i kërcënimit nga brenda, nevoja për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe rekrutimi dixhital që heq pengesat e depërtimit.

Ndonëse këto të dhëna analizojnë vetëm rastet e zbuluara, ato tregojnë qartë se aparati rus vepron me përshtatshmëri dhe këmbëngulje të lartë. Mbyllja e “dyerve” shërben shumë pak, nëse “dritaret” e kontinentit mbeten të hapura dhe aktiviteti i fshehur vazhdon të mbetet i pazbuluar./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Linkiesta” 

 

spinazhi rus

Lini një Përgjigje