TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Maj 2025, 14:58

"E di që mund të mos kthehem", ukrainasit e rinj që rekrutohen herët për të luftuar Rusinë

Shkruar nga Pamfleti

"E di që mund të mos kthehem", ukrainasit e rinj që

Të rinjtë shpesh i nënshtroheshin presionit nga miqtë dhe familja dhe vitet e gjata të luftës bëjnë që ata të mësohen me idenë se: "është e lehtë të humbasësh jetën".

"Unë nuk jam këtu vetëm për t’u hakmarrë për vëllain tim”, thotë Luntik, 20 vjeç, një nga ushtarët më të rinj të Ukrainës, ndërsa bën një pushim nga stërvitja. Ai thotë se është bashkuar për të çliruar territorin e Ukrainës nga pushtuesit rusë.

“Kur hajduti vjen në shtëpinë tënde dhe ke frikë se mund të të dëmtojë ose të të vrasë gruan, do të ndërmarrësh veprime dhe nëse është e nevojshme, do ta vrasësh hajdutin”, u shpreh Luntik.

Luntik është një nga të rinjtë, të gjithë të moshës midis 18 dhe 24 vjeç, të cilët kanë rënë dakord të bashkohen me ushtrinë e Ukrainës. Joshja është një bonus prej 1 milion hryvnia (gati 18,000 paund), hipoteka 0% dhe një kontratë e shkurtër njëvjeçare; skema, e nisur në shkurt, është një përpjekje e re për të ripopulluar vijën e frontit të Ukrainës.

Luntik është një rekrut model për brigadën e 92-të, megjithëse historia e familjes së tij, si shumë të tjera tre vjet pas pushtimit të plotë rus, është e vështirë. Prindërit e tij vdiqën kur ishte fëmijë ndërsa ai u rrit nga prindër kujdestarë në Lviv.

20-vjeçari humbi një nga vëllezërit e tij, Serhii, 22 vjeç, në luftime pranë Bakhmutit më herët gjatë luftës, I qëlluar nga një plumb në qafë, por pavarësisht kësaj, ai thotë se nuk ka frikë nga vdekja.

"Nuk erdha këtu për të luajtur rolin e maces me miun. I di të gjitha rreziqet. E kuptoj që ekziston një situatë ku mund të mos kthehem më", thotë Luntik.

"E di që mund të mos kthehem", ukrainasit e rinj që

Në vijën e frontit të sotëm, ushtari tipik ukrainas është shumë më i vjetër, në të 40-at ose 50-at e tij, duke luftuar me dronë ose teknologji të tjera që kërkojnë durim dhe qëndrueshmëri, jo forcë fizike. Për dy vitet e para të luftës, mosha minimale për rekrutim të mundshëm ishte 27 vjeç ndërsa maksimumi 60. Më pas mosha u ul në 25 vjeç, por administratat e Biden dhe Trump kërkuan që ajo të shkonte në 18 vjeç, me argumentin se Ukraina nuk po bënte mjaftueshëm për mungesën e personelit.

Edhe pse forcat e armatosura të Rusisë dhe Ukrainës vlerësohet të jenë afërsisht mbi 600,000 - Kremlini mund të tërheqë një numër shumë më të madh njerëzish, veçanërisht nga rajonet më të varfra të vendit.

Popullsia e Rusisë pre 140.8 milionë banorësh, është afërsisht katër herë më e madhe se ajo e mbetur në Ukrainë (35.6 milionë). Shumica e ukrainasve që ishin të gatshëm të bashkoheshin dhe të luftonin e bënë këtë shumë kohë më parë, dhe shumë të tjerë që nuk janë rekrutuar do të preferonin të largoheshin nga vendi sesa të rrezikonin të humbnin jetën në një luftë që, pavarësisht të gjitha diskutimeve për një armëpushim, vazhdon edhe sot.

“Edhe pse fillimisht 10,000 të rinj shprehën interes, më pak se 500 janë regjistruar”, tha një këshilltar i presidentit të Ukrainës. Gjithsesi, thuhet se 1,500 të tjerë janë në proces të regjistrimit.

Një 22-vjeçar, Volodimir është një tjetër nga rekrutët e rinj. Ai thotë se donte të bashkohej me ushtrinë sepse “nëse fëmijët e pyesin një ditë: ‘Babi, çfarë bëje gjatë luftës?’, dua vetëm të kem një përgjigje të saktë për ta. Dua që ata të kuptojnë se unë po mbroja vendin tim, njësoj si etërit tanë”.

"E di që mund të mos kthehem", ukrainasit e rinj që

Para luftës, Volodimir punoi si DJ nga mosha 16 deri në 18 vjeç, e më pas për një periudhë të shkurtër pune në ndërtim në rajonin e Volynit, i cili kufizohet me Poloninë në perëndim. Pas pushtimit në shkallë të plotë, ai u regjistrua në një njësi të mbrojtjes territoriale me bazë atje, por kuptoi se nuk kishte asnjë perspektivë që lufta të vinte në pjesën e tij të vendit.

Duke dashur të bënte më shumë, ai u përpoq të bashkohej me Brigadën e Tretë Sulmuese, por tha se miqtë e bindën të hiqte dorë. "Ata thanë se nëse shkon atje mund të vdesësh së shpejti", u shpreh i riu, dhe kështu hezitoi derisa erdhi oferta për t’u rektuar.

Oleksiy Moskalenko, një analist në fondacionin Come Back Alive, i cili ofron mbështetje për ushtrinë e Ukrainës, tha se të rinjtë shpesh i nënshtroheshin shumë presionit nga miqtë dhe familja dhe vitet e gjata të luftës bëjnë që ata të mësohen me idenë se: "është e lehtë të humbasësh jetën".

Në shkurt, Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se 46,000 ukrainas kanë mbetur të vrarë dhe 390,000 të plagosur, ushtarë të trajnuar që humbin jetën brenda ditësh ose javësh nga mbërritja në vijën e frontit, ndonjëherë në misione të rrezikshme pa shpresë.

Moskalenko shprehet gjithashtu se “të rinjtë ishin më të shkëputur nga diskursi publik” pasiu zhdukja e luftës në mendjet e tyre është “një strategji për të mbijetuar – është racionale të distancohesh prej saj”.

Ai shton se lufta e Ukrainës me Rusinë ka vijuar që nga viti 2014, që do të thotë se ka qenë gjithmonë pjesë e sfondit të jetës së të rinjve.

Sipas tij, të rinjtë i ndihmon fakti që kanë gjithmonë një mundësi të fshihen, të largohen ose të gjesh mënyra të tjera për të mos u rekrutuar, megjithëse Ukraina po përpiqet ta bëjë më të vështirë që burrat të largohen nga vendi.

"E di që mund të mos kthehem", ukrainasit e rinj që

Rekrutët e rinj thonë se nuk presin të dërgohen në vijën e frontit deri në qershor. Luntik do të jetë në një njësi zbulimi, ndërsa Volodymyr është caktuar për një rol më të rrezikshëm, ku jetëgjatësia luftarake mund të jetë e shkurtër.

Të dy shprehen se presin të ribashkohen me ushtrinë pasi të shërbejnë vitin e parë. "Gjëja e parë që duhet të bëj është të mbijetoj", thekson Luntin./ Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”.

Lini një Përgjigje