Bota17 Prill 2023, 08:23

E shkarkoi në janar, Putin ndryshon mendje dhe rikthen në Ukrainë gjeneralin rus

Shkruar nga Pamfleti
E shkarkoi në janar, Putin ndryshon mendje dhe rikthen në Ukrainë

Ministria britanike e Mbrojtjes ofroi të dielën një pasqyrë të përgjithshme të të dhënave të zbulimit mbi agresionin rus në Ukrainë. Sipas të dhënave të fundit, thonë britanikët, ka gjasa që Gjenerali Mikhail Teplinsky, komandant i korpusit ajror rus, VDV, të jetë kthyer në Ukrainë në një rol madhor, pasi shkarkimit të tij në janar.
Ministria e përshkroi zotin Teplinsky si “ndoshta një nga gjeneralët e paktë të lartë rusë të respektuar gjerësisht” dhe se “karriera e tij e trazuar në janar, sugjeron tensione intensive midis fraksioneve brenda Shtabit të Përgjithshëm rus në lidhje me qasjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë”.

Kthimi i tij nënkupton se ai do të nxisë “me shumë gjasa” rolin tradicional të VDV-së si një forcë elitare, sipas raportit britanik, dhe nuk ka gjasa që roli i tij të kufizohet vetem tek ato njësi. “Gjatë ditëve të fundit”, thuhet në raportin britanik, “VDV-ja ka rifilluar një mision kyç në betejën për Bakhmutin dhe ka të ngjarë të ketë integruar edhe bateritë e raketave termobarike që ndodhen në sektorin e Kreminës”

Qyteti i Bakhmutit, objektivi kryesor i ofensivës së Kremlini në lindje është bërë skenë e disa muajve lufte të përgjakshme, ku luftimet janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit.

Ushtria ukrainase njoftoi të shtunën se forcat ukrainase dhe ruse po zhvillojnë beteja jashtëzakonisht të përgjakshme në qytetin Bakhmut. Kievi thotë se ushtria ukrainase po qëndron e fortë përballë sulmeve të përgjakshme të Kremlinit.

Ministria ruse e mbrojtjes tha më herët se luftëtarët e grupit mercenar Wagner kishin kapur dy zona të tjera të Bakhmutit, objektivi kryesor i ofensivës së Moskës në Ukrainën lindore. Grupi mercenar Wagner ka udhëhequr përpjekjen e Kremlinit për të marrë Bakhmutin që nga vera e kaluar në atë që ka qenë beteja më e gjatë dhe më vdekjeprurëse e luftës për të dyja palët.

“Beteja të përgjakshme të papara në dekadat e fundit po zhvillohen në mes të zonës urbane të qytetit”, tha Serhiy Cherevatyi, zëdhënës i komandës ushtarake lindore të Ukrainës. “Ushtarët tanë po bëjnë të pamundurën në beteja të përgjakshme dhe të ashpra për të mposhtur aftësinë luftarake dhe për të thyer moralin e armikut. Çdo ditë, në çdo cep të këtij qyteti, ata po e bëjnë këtë me sukses,” tha ai për kanalin televiziv 1+1.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha në fjalimin e tij të shtunën se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë me presidentin francez Emmanuel Macron. Ai tha se kishin diskutuan formulën e paqes ukrainase, që Zelenskyy e përshkroi si “absolutisht realiste dhe mjaft konkrete”. Zoti Zelenskyy tha se ata kishin diskutuar edhe mbi pjesëmarrjen e tyre në takimin e lartë të NATO-s në Vilnius këtë verë.

Presidenti Vladimir Putin miratoi një ligj të ri të premten që u mundëson autoriteteve të lëshojnë njoftim elektronik për mobilizimin e rekrutëve dhe rezervistëve. Rregullat e deritanishme të shërbimit ushtarak rus parashikonin që ata të njoftoheshin personalisht për mobilizimin në ushtri.

Disa aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Rusisë. Me ndryshimet e miratuara, ushtarët dhe rezervistët nuk do mund të largohen nga vendi pa u paraqitur fillimisht në një komisariat ushtarak. Nëse ata nuk paraqiten deri 20 ditë pas njoftimit, atyre do t’u pezullohen lejet e drejtimit të automjeteve, do t’u ndalohet të shesin apo blejnë prona, apo të marrin kredi.

Sipas Kremlinit, që prej shtatorit të vitit të kaluar, kur Presidenti Putin udhëroi mobilizim mbarëkombëtar, më shumë se 300,000 burra janë thirrur për të luftuar në Ukrainë. Sipas të dhënave nga revista “Forbes Russia” më shumë se 700 mijë burra janë larguar nga Rusia për t’i shpëtuar thirrjes së detyruar në ushtri. Analistët në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington vlerësojnë se së paku 200,000 trupa ruse janë plagosur ose vrarë në Ukrainë që prej nisjes së agresionit nga Kremlini./VOA

putin ukraine