
Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, ka bërë një apel të fuqishëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare për të “qëndruar së bashku” kundër asaj që ai e cilësoi si “brutalitet” i Izraelit në Gaza. Gjatë fjalës së tij në një panair mbrojtjeje në Stamboll të martën, Erdogan dënoi ashpër situatën humanitare në Gaza, duke e quajtur atë një “mizori të papranueshme”.
“Le t’i themi ‘mjaft më’ këtij shtypjeje dhe kësaj egërsie. Askush me as edhe një fije dinjiteti njerëzor nuk mund ta pranojë mizorinë ku dhjetëra njerëz të pafajshëm vdesin çdo ditë për mungesë të një cope buke apo një gllënjke uji”, tha Erdogan.
Presidenti turk theksoi vuajtjet e fëmijëve të Gazës, të cilët, sipas tij, janë “të reduktuar në lëkurë e kockë” për shkak të bllokimit të ndihmave humanitare.Që nga fillimi i luftës në Gaza, Erdogan ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të Izraelit, duke e akuzuar vazhdimisht për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Muajin e kaluar, ai shkoi më tej duke e quajtur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “kërcënimin më të madh” për sigurinë në Lindjen e Mesme, duke e krahasuar qasjen e tij me politikat që rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Thirrja e Erdogan vjen në një kohë kur situata në Gaza mbetet kritike, me mijëra civilë të prekur nga konflikti i vazhdueshëm dhe mungesa e ndihmave themelore. Komentet e tij pritet të ndezin sërish debat në arenën ndërkombëtare, ndërsa Turqia vazhdon të pozicionohet si një zë kryesor në mbështetje të çështjes palestineze.
Lini një Përgjigje