Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, inkurajoi iranianët që të marrin kontrollin e qeverisë së tyre sapo operacionet ushtarake amerikane të përfundojnë. “Asnjë president nuk e bëri këtë që bëra unë sot!”, tha Trump.
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë nisur “operacione të mëdha luftarake” kundër Iranit. Njoftimi u bë përmes një videoje të publikuar në platformën Truth Social.
Në fjalën e tij, Trump theksoi se, “aktivitetet kërcënuese të Teheranit rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë shtetit dhe aleatët tanë në të gjithë botën”.
Trump tha gjithashtu se "për 47 vjet regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pafundme gjakderdhjeje"
Ai i referohet krizës së ambasadës amerikane nga viti 1979 dhe 1981, ku 66 pengje u mbajtën për 444 ditë. "Ka qenë terror masiv dhe nuk do ta durojmë më gjatë", shtoi Trump.
“Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i pamëshirshëm, shumë i ashpër dhe i rrezikshëm.
Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën.
Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke synuar Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe njerëz të pafajshëm në shumë e shumë vende", tha Trump ndër të tjera.
Trump më pas shprehet se “ne do të shkatërrojmë raketat e tyre” dhe “do të asgjësojmë marinën e tyre”, dhe shton se ndërsa janë ndërmarrë hapa për të shmangur viktimat, “amerikanët mund të humbasin jetën”.
Ai i bën thirrje Gardës Revolucionare Islamike të “ulë armët” ose “të përballet me vdekjen e sigurt”.
Duke iu drejtuar popullit të Iranit, Trump deklaron se "ora e lirisë suaj është afër" dhe i paralajmëron se "bombat do të bien kudo".
"Kur të mbarojmë, merrni qeverinë tuaj, do të jetë e juaja për ta marrë. Ky do të jetë, ndoshta, shansi juaj i vetëm për breza. Për shumë vite, ju keni kërkuar ndihmën e Amerikës, por nuk e morët kurrë atë. Asnjë president nuk ishte i gatshëm të bënte atë që unë jam i gatshëm të bëj sonte. Kjo është momenti për veprim, mos e lini të kalojë", thekson presidenti i SHBA.
Detaje të mëtejshme mbi natyrën dhe shtrirjen e operacioneve nuk janë bërë ende publike.
Ndërkohë, një zyrtar iranian u shpreh për agjencinë e lajmeve "Reuters" se Teherani po përgatit një kundërpërgjigje pas sulmeve të Izraelit.
Sipas të njëjtit burim, reagimi pritet të jetë “shkatërrues”, megjithatë nuk janë dhënë informacione konkrete mbi objektivat apo se kur do të ndodhë sulmi.
Lini një Përgjigje