Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka lëshuar një alarm për një sasi bajamesh të importuara nga Spanja, pasi në to është konstatuar prani e acidit hidrocianik mbi nivelin e lejuar, një substancë toksike që paraqet rrezik për shëndetin e njeriut.
Sipas AKU-së, bëhet fjalë për produktin "BLANCHED ALMOND EXTRA FINE", me datë skadence 22 tetor 2026. Autoriteti u bën thirrje konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë.
Produkti është importuar në Shqipëri nga subjektet Albania Smart Distribution SHPK dhe Alta Group.
AKU bën me dije se nga 1.100 kilogramë bajame të importuara nga Albania Smart Distribution dhe një subjekt tjetër, e gjithë sasia rezulton të jetë shitur te konsumatori fundor.
Ndërkohë, nga 100 kilogramë të importuara nga Alta Group, 42 kilogramë janë bllokuar dhe do të asgjësohen, ndërsa 58 kilogramë rezultojnë të jenë shitur.
Autoriteti thekson se është njoftuar për këtë rast përmes sistemit të autoriteteve evropiane të sigurisë ushqimore dhe u kërkon qytetarëve të verifikojnë produktin që kanë blerë dhe të shmangin konsumimin e tij.
Lini një Përgjigje