
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se Turqia i ka lëshuar paralajmërimet e nevojshme Iranit, por Teherani vazhdon të ndërmarrë “hapa të gabuar” pavarësisht këtyre paralajmërimeve. Erdogan theksoi se përparësia e tij është ta mbajë vendin jashtë konfliktit.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas një mbledhjeje të kabinetit, Erdogan tha se Turqia ka ndjekur nga afër zhvillimet rreth konfliktit me Iranin dhe ka komunikuar drejtpërdrejt shqetësimet e saj.
“Iranit iu dhanë paralajmërimet e nevojshme. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, ai vazhdon të ndërmarrë hapa të gabuar”, tha Erdogan.
Ai përsëriti se objektivi kryesor i Ankarasë është të parandalojë përfshirjen e Turqisë në luftë, ndërkohë që vazhdon të mbështesë diplomacinë.
“Ashtu si në luftërat e tjera, Turqia qëndron në anën e drejtësisë dhe mbështet zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut”, shtoi ai.
Presidenti theksoi gjithashtu aftësitë mbrojtëse të Turqisë, duke thënë se vendi ka kapacitetin për t'iu përgjigjur kërcënimeve që synojnë sigurinë dhe sovranitetin e saj.
“Republika e Turqisë është e fortë dhe e aftë në çdo fushë. Ajo ka kapacitetin për të zmbrapsur çdo sulm dhe për të thyer duart e ndyra që synojnë mbijetesën e saj”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje