Bota17 Mars 2023, 16:33

Krimet e luftës në Ukrainë, Gjykata e Hagës lëshon urdhër-arresti për Vladimir Putinin

Shkruar nga Pamfleti

Krimet e luftës në Ukrainë, Gjykata e Hagës lëshon

Gjykata Ndërkombëtare Penale e njohur si Gjykata e Hagës, ka lëshuar një urdhër arresti të premten për presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë si përgjegjës për krimet e luftës të kryera në Ukrainë.

Gjykata tha në një deklaratë se presidenti rus dyshohet se është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e okupuara të Ukrainës, në Federatën Ruse.

Ajo lëshoi ​​gjithashtu një urdhër arresti për Maria Alekseyevna Lvova-Belova, komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, për të njëjtata akuza.

Gjykatësi Piotr Hofmański, president i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, tha: “Është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar që fuqitë okupuese të transferojnë civilë nga territori ku ata jetojnë në territore të tjera. Fëmijët gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas Konventës së Gjenevës. Përmbajtja e fletarresteve është sekrete për mbrojtjen e viktimave. GJNP-ja i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së viktimave, veçanërisht fëmijëve. Megjithatë, gjyqtarët e dhomës kanë gjykuar se në këtë rast kanë vendosur të bëjnë publike ekzistencën e urdhër-arresteve në interes të drejtësisë dhe të parandalojnë kryerjen e krimeve në të ardhmen”.

Sipas gjyqtarit, ky është një moment i rëndësishëm në procesin e drejtësisë penale. Gjyqtarët kanë shqyrtuar informacionin dhe provat e paraqitura nga prokurorët dhe kanë konstatuar se ndaj këtyre personave ka pretendime të besueshme për krimet e supozuara.

Pak kohë më parë prokurori i Hagës, Karim Khan vizitoi Ukrainën për herë të katërt. Pas vizitës ai tha: “Që kur kam marrë detyrën si prokuror, kam thënë vazhdimisht se fëmijët nuk duhet të jenë më viktima të konfliktit. Në Ukrainën jugore, dy kilometra larg vijës së frontit, vizitova një shtëpi kujdesi për fëmijët. Vizatimet e fiksuara në mur dhe dollapët plot me rroba flisnin për një kontekst dashurie dhe mbështetjeje që ekzistonte dikur. Por kjo shtëpi ishte bosh, si rezultat i deportimit të supozuar të fëmijëve nga Ukraina në Federatën Ruse ose transferimit të tyre të paligjshëm në pjesë të tjera të territoreve të pushtuara përkohësisht”.  Prokurori u shprehur se fëmijët nuk mund të trajtohen si plaçkë lufte.

putin lufta arret