
Presidenti kinez Xi Jinping do të zhvillojë një udhëtim dy ditor në Rusi, nga data 20 deri më 22 mars. Lajmi u njoftua nga Ministria e Jashtme e Pekinit, duke sqaruar se kjo vizitë ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Vizita ka të bëjë me miqësinë që synon thellimin e besimit të ndërsjellë midis Kinës dhe Rusisë”, njofton Ministria e Jashtme. Ndër të tjera bëhet me dije se ky takim do të shërbejë për të diskutuar mbi “bashkëpunimin strategjik” midis dy vendeve.
Vizita vjen pasi Pekini, një aleat i Rusisë, ka ofruar propozime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ndërkohë vendet perëndimore kanë paralajmëruar Pekinin që të mos furnizojë Moskën me armë. Sakaq nga kjo vizitë e presidentit kinez në Rusi, pritet të nënshkruhen një sërë “dokumentesh dypalëshe të rëndësishme”.
Zyrtarët perëndimorë kanë ngritur gjithashtu shqetësime se Kina mund të konsiderojë t’i japë Rusisë ndihmë vdekjeprurëse ushtarake, një akuzë e mohuar nga Pekini.
CNN raportoi muajin e kaluar se SHBA kishte deklaruar se qeveria kineze po konsideron t’i dërgojë Rusisë dronë dhe municione në luftën kundër Ukrainës.
Pa përmendur ndonjë vend specifik, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze gjithashtu u duk se kritikoi Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Kina kundërshton “sanksionet e njëanshme dhe juridiksionin afatgjatë pa bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit. Ai gjithashtu akuzoi disa vende të një “standardi të dyfishtë” për shitjen e armëve, duke thënë se ata “po i hedhin benzinë zjarrit” për çështjen e Ukrainës.