
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë raportuar një sulm të ri ajror, duke deklaruar se sistemet e tyre të mbrojtjes kanë përballuar një numër të konsiderueshëm raketash dhe dronësh.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “mbrojtja ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe u përball me 15 raketa dhe katër dronë iranianë”, në një incident që vjen në një klimë të tensionuar në rajon.
Autoritetet sqaruan se sulmi përfshinte “12 raketa balistike dhe tre raketa kruiz”, ndërsa si pasojë e tij janë plagosur tre persona.
Në të njëjtën deklaratë, ministria dha edhe një panoramë më të gjerë të situatës së sigurisë, duke theksuar se “kjo e çon totalin që nga fillimi i luftës në 549 raketa balistike, 29 raketa kruiz dhe 2,260 UAV”.
Duke komentuar zhvillimet, Ministria e Mbrotjes theksoi vendosmërinë për të garantuar mbrojtjen e vendit.
“Ministria e mbrojtjes pohoi se mbetet plotësisht e përgatitur dhe gati për t'u përballur me çdo kërcënim dhe do të përballet me vendosmëri me çdo gjë që synon të minojë sigurinë e vendit, në një mënyrë që siguron mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe stabilitetit të tij dhe mbron interesat dhe aftësitë e tij kombëtare”, thuhet në njoftim.
Sulmi përbën një tjetër episod të përshkallëzimit të tensioneve në Gjirin Persik, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga Irani lidhur me këto pretendime.
Lini një Përgjigje