Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se Evropa duhet të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e saj.
Në konferencë morën pjesë krerë të rreth 60 shteteve, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe liderë të vendeve evropiane.
Në nisje të fjalës së tij, Starmer e cilësoi NATO-n si një arritje historike, por theksoi nevojën për një dimension më të fortë evropian brenda aleancës. Ndërsa Evropën e cilësoi si një 'gjigand të fjetur'.
“Aleanca e NATO-s është një fenomen në historinë e njerëzimit. Evropa është një gjigant i fjetur, me ekonomi më shumë se dhjetë herë më të mëdha se ajo e Rusisë”, u shpreh Starmer.
Megjithatë, sipas tij, kapacitetet mbrojtëse evropiane vuajnë nga fragmentimi dhe dyfishimi, çka i ka bërë ato “jashtëzakonisht joefikase” dhe ka dëmtuar sigurinë kolektive.
“Çadra e sigurisë amerikane na ka lejuar të zhvillojmë këto zakone të këqija, por ne duhet t’i thyejmë ato,” u shpreh Starmer.
Kryeministri britanik theksoi se çdo ristrukturim i rolit evropian duhet të bëhet në koordinim të ngushtë me Uashingtonin.
“Është thelbësore që ne duhet ta bëjmë këtë me SHBA-në,” deklaroi ai, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i domosdoshëm dhe se kontributi i tyre në sigurinë evropiane është i pakrahasueshëm.
Starmer pranoi se rendi ndërkombëtar po ndryshon dhe se “normalja e re” është një Evropë që merr më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet. Ai shtoi se bota ka ndryshuar rrënjësisht dhe se vendet demokratike duhet të gjejnë mënyra të reja për të mbështetur vlerat dhe sundimin e ligjit.
Duke folur për të ardhmen e kontinentit, Starmer deklaroi se “Evropa duhet të qëndrojë në këmbët e veta”.
Ai tha se kjo kërkon t’i jepet fund “shqetësimeve të vogla” dhe të ndërtohet një NATO më evropiane, e mbështetur nga “lidhje më të thella”.
Sipas tij, një pjesë e këtij themeli lidhet me aftësinë e shoqërive evropiane për të dëshmuar se “njerëzit që duken ndryshe nga njëri-tjetri mund të jetojnë në paqe së bashku”.
“Ne nuk jemi më Britania e viteve të Brexit-it,” deklaroi ai mes duartrokitjeve. “Sepse e dimë që në një botë të rrezikshme, nuk do ta merrnim kontrollin duke u kthyer nga brenda, por do ta dorëzonim atë. Dhe nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë", shtoi ai.
Në përmbyllje, Starmer paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një mjedis më të ashpër sigurie.
"Evropa nuk kërkon konflikt dhe synon paqe të qëndrueshme", tha ai, por shtoi se rruga përpara “duhet të ndërtohet mbi fuqinë e fortë, sepse është monedha e epokës”.
“Ne duhet të jemi të gatshëm të luftojmë nëse është e nevojshme,” deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se për shumë qytetarë britanikë, lufta ka qenë një realitet i largët, “diçka që na shqetëson thellësisht, por që ndodh shumë larg”.
“Sot ne mund ta ndiejmë tokën mbi të cilën qëndrojmë duke u zbutur nën këmbët tona”, tha Starmer.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Starmer tha se Rusia ka dëshmuar oreksin e saj për agresion. “Herë pas here, udhëheqësit kanë shikuar nga ana tjetër, duke u riarmatosur vetëm kur u ka ardhur fatkeqësia. Këtë herë duhet të jetë ndryshe,” përfundoi ai.
Lini një Përgjigje