
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shmangur me qëllim të qartë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të përdorte forcën për të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës me rëndësi strategjike në Arktik. Në një intervistë telefonike të shkurtër për NBC News, kur u pyet në mënyrë eksplicite nëse do të përdorte forcën për të pushtuar Groenlandën, Trump u përgjigj thjesht: “Pa koment”.
Kjo përgjigje e shkurtër, por me peshë të rëndë politike, ka nxitur reagime dhe spekulime të shumta në qarqet ndërkombëtare për qëllimet e vërteta të administratës Trump ndaj rajonit arktik. Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ish-presidenti, tashmë president në mandat, shpreh interes për ishullin gjigant që gjendet mes Amerikës së Veriut dhe Europës Veriore, i pasur me burime natyrore dhe i pozicionuar strategjikisht në mes të Atlantikut të Veriut.
Në të njëjtën intervistë, Trump u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të përqendrohet te lufta midis Rusisë dhe Ukrainës dhe “jo te Groenlanda”. Ai i bëri thirrje vendeve evropiane që “të mos përzihen aty ku nuk janë të përfshira”, duke e konsideruar interesin e SHBA për Groenlandën si çështje të drejtë sovrane.
Trump përsëriti kërcënimin e tij të mëhershëm, duke thënë se do të vendosë “100%” tarifa ndaj vendeve evropiane nëse nuk ka një marrëveshje që i lejon SHBA-të të blejnë Groenlandën. Ky presion ekonomik vjen në një klimë të tendosur mes Uashingtonit dhe Brukselit, veçanërisht për çështje tregtare, energjie dhe sigurie në Arktik.
Në vijim të intervistës, presidenti amerikan nuk kurseu as thumbimet ndaj Norvegjisë, duke aluduar se qeveria norvegjeze ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi Çmimin Nobel për Paqen. “Norvegjia e ka nën kontroll të plotë atë, pavarësisht asaj që thotë”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se ai beson që nuk iu dha çmimi për arsye politike dhe jo meritash.
Këto deklarata vijnë në një moment kur politika amerikane po shtrin gjithnjë e më shumë ndikimin drejt veriut gjeostrategjik, ndërsa Europa duket e përçarë dhe e tërhequr në sfida të tjera më urgjente, si lufta në Ukrainë dhe krizat e brendshme politike.
Lini një Përgjigje