SHBA, Kina dhe një komunitet Inuitësh në betejën për kontrollin e pasurive strategjike të Groenlandës
Në jug të Groenlandës, atje ku fiordet takohen me akullin dhe shtëpitë shumëngjyrëshe përballen me erërat e ashpra arktike, ndodhet fshati Narsak, një vendbanim me rreth 1.300 banorë, kryesisht peshkatarë të paltusit. Deri pak vite më parë, ky cep i largët i botës nuk përmendej në hartën gjeopolitike globale. Por në nëntokën e tij fshihet një thesar që mund të ndryshojë balancat ndërkombëtare.
Në malin Kvanefjeld, në afërsi të fshatit, ndodhet depozita e dytë më e madhe në botë e mineraleve të rralla dhe një ndër rezervat më të mëdha të uraniumit, elemente thelbësore për industrinë e mbrojtjes, tranzicionin e gjelbër dhe dominimin teknologjik të së ardhmes. Pikërisht për këtë arsye, Narsak është kthyer në objektiv të fuqive të mëdha.
Kina në Arktik: Kalë Troje apo lojtar strategjik?
Pekini ka vepruar në heshtje por me një plan të qartë. Përmes kompanisë Shenghe Resources, ka marrë kontroll të konsiderueshëm në Greenland Minerals, firmën që zotëronte të drejtat për shfrytëzimin e Kvanefjeldit. Për Kinën, kjo nuk ishte thjesht një çështje biznesi; ishte një derë strategjike drejt Arktikut.
Në vitin 2018, Kina ofroi të ndërtonte tre aeroporte ndërkombëtare në një ishull pa rrugë tokësore – një projekt me ndikim të madh. Tentoi gjithashtu të blinte bazën detare të braktisur të Grønnedal. Reagimi amerikan ishte i menjëhershëm. Uashingtoni vuri në lëvizje telefonat në Kopenhagë dhe në fund, Danimarka bllokoi gjithçka duke marrë vetë financimin e projekteve, për të shmangur ndikimin kinez.
Amerika kundër Huawei-t, ndihma dhe diplomacia e investimeve
Pas ndërhyrjes në infrastrukturë, nisi beteja për telekomunikacionin. Huawei u përjashtua nga ndërtimi i rrjeteve dhe në vend të saj u zgjodh Ericsson. SHBA ofroi ndihmë financiare për Groenlandën, duke dhënë një mesazh të qartë: Arktiku nuk është zonë neutrale.
Në gusht 2019, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se dëshironte ta blinte Groenlandën – një deklaratë që u përqesh si absurditet. Por në thelb ishte një lëvizje gjeopolitike parandaluese. Trump e dinte që nëse Kina merrte në kontroll burimet natyrore të Groenlandës, do të fitonte akses strategjik në veri të Atlantikut dhe avantazh teknologjik ushtarak.
Revolta Inuit dhe refuzimi i uraniumit
Por në prill 2021, rrjedha ndryshoi. Në Groenlandë, fjala e fundit i përket parlamentit lokal. Partia Inuit Ataqatigiit, me liderin Múte B. Egede, u ngrit në mbrojtje të mjedisit: “Jo uraniumit”. Për komunitetin Inuit, nuk ishte çështje ideologjie, por ekzistence. Pluhuri radioaktiv kërcënonte fiordet dhe peshkimin – eksportin kryesor të vendit. Në zgjedhje, populli e tha fjalën e vet: projekti i minierës u ndalua dhe Kina humbi bastin e saj më të madh në Arktik.
2025: Një Groenlandë më pragmatike
SHBA e përshëndeti vendimin, por nuk e uli vigjilencën. Rihapi konsullatën në Nuuk dhe intensifikoi kontaktet. Megjithatë, në vitin 2025, zgjedhjet sollën një tjetër ndryshim. Populli i lodhur nga stagnimi zgjodhi Jens-Frederik Nielsen nga partia Demokratike – një politikan pragmatist, i hapur ndaj industrisë minerare, por i kujdesshëm.
Nielsen nuk iu nënshtrua as SHBA-së dhe as Kinës. Përkundrazi, e përdori Danimarkën si mburojë për të negociuar nga një pozitë force. /Pamfleti
Lini një Përgjigje