Bota 4 Mars 2024, 14:00

'Çfarë besueshmërie ka ky djalë'/ Europa Lindore kundërshton mikun e Edi Ramës si shef i ri i NATO-s

Shkruar nga Pamfleti
'Çfarë besueshmërie ka ky djalë'/ Europa Lindore
Mark Rutte dhe Edi Rama

Dy dekada pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO-s, vendet e Europës Lindore kanë frikë se nuk do të merren në konsideratë kandidaturat për kreun e ri të aleancës veriatlantike.

Emërimi i mundshëm i kryeministrit holandez Mark Rutte si kreu i ri i NATO-s, këtë verë, mund të ketë marrë miratimin e Uashingtonit, Londrës, Parisit dhe Berlinit, duke i mënjanuar kandidaturat nga vendet e Europës Lindore.

"Çfarë besueshmërie morale ka ky djalë?", tha ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves, duke vënë në dukje dështimin e Holandës për të përmbushur angazhimin e saj të NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen gjatë 13 viteve të Rutte si kryeministër, shkruan Politico.

Pretendentë të tjerë për pozicionin përfshinin presidentin rumun, Klaus Iohannis, qeveria e të cilit njoftoi NATO-n për kandidaturën e tij të mundshme në shkurt dhe kryeministren estoneze KajaKallas, e cila nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë, por ka shprehur interes vitin e kaluar.

“A jemi të barabartë apo nuk jemi të barabartë?, deklaroi Kallas për Politico, për sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së kreut të ri të NATO-s. Vendet e Evropës Lindore kanë mbajtur disa nga postet kryesore të BE-së dhe NATO-s që kur pjesa më e madhe e tyre iu bashkuan dy institucioneve në vitin 2004. Në Estoni, Lituani dhe Letoni, zyrtarë të lartë besojnë se fuqitë e mëdha në Evropën Perëndimore ende kanë një paragjykim të padrejtë kundër tyre, veçanërisht duke pasur parasysh pozicionet e tyre të ashpra ndaj Rusisë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Përveç emërimit të NATO-s, që pritet të bëhet nga samiti i liderëve në Uashington këtë verë, pozicionet kryesore të BE-së do të rishpërndahen këtë vit pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor.

Kryeministri Rama u shpreh i kënaqur nga kandidatura e Mark Rutte, duke thënë se nëse ai është një person që mund të jetë zëri i Europës në SHBA dhe njëkohësisht zëri i SHBA-së në Europë.

'Mark Rutte që largohet nga posti i kryeministrit në Holandë dhe që lë bosh ulësen e tij në Këshillin Europian, nuk është lajm i mirë për Këshillin dhe Europën. Por Mark Rutte që shkon në NATO është lajm i mirë për NATO-n.

Është 100% kandidati ynë dhe jam i sigurt se me Mark Rutten në drejtim, NATO do të ketë një politikan të zotë dhe një udhëheqës të vërtetë që di si të merret me situatat e vështira, që është dëshmuar shumë i aftë në bërjen e kompromiseve, edhe duke krijuar koalicione të pamundura. Ai është gjithashtu një person që mund të jetë zëri i Europës në SHBA dhe njëkohësisht zëri i SHBA-së në Europë.', tha Rama në një intervistë për mediat.

 

mark rutte edi rama kreu i nato-s