Bota 4 Mars 2024, 12:17

Numri 2 i NATO-s: Kërcënimi bërthamor i Putinit presion psikologjik dhe jo synim i vërtetë

Shkruar nga Luis Doncel
Numri 2 i NATO-s: Kërcënimi bërthamor i Putinit presion
Mircea Geoană, zëvëndës sekretar i Përgjithshëm i NATO-s /

Si zëvendëssekretar i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoană i ka kaluar 4 vjet e gjysmë duke mbikëqyrur kërcënimet në rritje nga Rusia e Vladimir Putinit. Pak para se të zhvillonim këtë intervistë, shefi i Kremlinit bëri kërcënimin e tij më të qartë bërthamor që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

Përgjigja e politikanit socialdemokrat ndaj retorikës së Moskës është e qetë, por e vendosur. Argumentet e tij sillen rreth një ideje të vendosur: që anëtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë bërë shumë për të ndihmuar vendin e pushtuar dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Por mbi të gjitha, ata duhet të mos bien në dëshpërim përballë vështirësive të momentit. Në përgjigje të sulmeve të Donald Trump mbi parimin kryesor të NATO-s - mbrojtjen e ndërsjelltë mes aleatëve - ai thotë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Evropën, po aq sa kjo e fundit ka nevojë për të.

Putin foli së fundmi për një sulm bërthamor që do të sillte “shkatërrimin e qytetërimit tonë”. Sa seriozisht i merrni fjalët e tij?

Ne kemi parë një përdorim të tillë të kërcënimeve bërthamore nga udhëheqësit rusë për të paktën 2 vitet e fundit, që kur filloi lufta në shkallë të gjerë në Ukrainë. Dhe kjo nga një superfuqi bërthamore si Rusia. Kjo sjellje është tejet e papërgjegjshme, pasi kur zotëron armë të tilla, ke edhe detyrimin për të qenë i përmbajtur. Por këto kërcënime janë pjesë arsenalit të tyre të frikësimit dhe presionit psikologjik.

E shihni atë më shumë si një blof sesa një kërcënim real?

Është një fjalim që i përshtatet më shumë logjikës së presionit psikologjik sesa një qëllim i vërtetë. Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt nga përdorimi i armëve të tilla nga Rusia. Por deklarata të tilla janë shumë të rrezikshme, pasi e shkatërrojnë besimin në këtë aspekt. Rusia i di shumë mirë se cilat do të ishin pasojat e një skenari të tillë.

Ne e dimë që kjo është kryesisht një mënyrë për të frikësuar dhe përçarë Perëndimin, dhe për të përshkruar luftën që ai filloi në Ukrainë si një luftë qytetërimesh. Apo edhe kur ai pohon se Perëndimi po përpiqet të shkatërrojë Rusinë, gjë që është absurditet total.

Putin po reagonte ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili nuk përjashtoi asnjë opsion, përfshirë dërgimin e trupave në Ukrainë, diçka që është përjashtuar nga udhëheqësit e tjerë evropianë dhe amerikanë. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se nuk ekzistojnë plane të tilla. A është gabim të flasim për masat që do të refuzohen vetëm pak orë më vonë?

Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e kombeve dhe liderëve për të dalë me ide të reja. Por  NATO nuk ka asnjë qëllim dhe asnjë plan për të dërguar trupa në Ukrainë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe të shmangim përshkallëzimin e përplasjes me Rusinë, diçka që deri tani e kemi bërë në mënyrë të kënaqshme.

Dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi Ukraina ka nisur negociatat për anëtarësim në BE dhe po afrohet më shumë me NATO-n. Nuk mund të themi një datë të saktë, por një ditë Ukraina e pavarur sovrane do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Kjo luftë ka gjasa të vazhdojë edhe për disa kohë. Ndaj aleanca do të vazhdojë të sigurojë mbështetjen e Ukrainës por edhe shmangien e një lufte direkte me Rusinë.

Kohët e fundit, Rusia ka arritur disa suksese ushtarake si pushtimi i Avdiivkës. Mbetet e bllokuar ndihma e SHBA për Ukrainën, teksa nuk ka ndodhur kolapsi i ekonomisë ruse që u parashikua nga shumë zyrtare dhe ekspertë... A po e fiton Putin luftën?

Ne duhet të shmangim tundimin për të qenë shumë optimistë, siç ishim disa muaj përpara kundërsulmit të Ukrainës, apo tejet pesimistë siç ndihemi sot. Kjo luftë është shumë dinamike. Nëse e shoh gotën gjysmë plot, atëherë vlerësoj dëmtimin dhe tërheqjen e flotës ruse nga Deti i Zi dhe Krimea drejt Detit Azov. Ky është një sukses i madh.

Me ndihmën tonë, Kievi ka arritur të rivendosë rrugën e eksporteve përmes Detit të Zi për drithërat ukrainase në Afrikë dhe në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme. Nga ana tjetër shoh disa vështirësi teknike por jo strategjike për Ukrainën.

Prandaj, le të kemi besim se ndërsa Rusia ka kaluar në një ekonomi lufte dhe po merr mbështetje nga Koreja e Veriut dhe Irani, edhe ne po e rrisim prodhimin tonë, bazën tonë industriale, për të ndihmuar Ukrainën, por edhe për të rimbushur nevojat tona për sigurinë, mbrojtjen dhe parandalimin në Evropë.

Trump e ka inkurajuar Rusinë të bëjë “çfarë të dojë” me çdo vend të NATO-s që nuk shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen. A do të përbënte një administratë e re e tij kërcënim për angazhimin mbi të cilin u krijua aleanca?

Ne kemi dëgjuar deklarata të tilla nga Trump edhe në fillim të mandatit të tij të parë, por më pas ai punoi me NATO-n. Ai e kuptoi nevojën e kësaj aleance dhe interesin e Amerikës për ta mbajtur të fortë atë, duke ndryshuar pikëpamjet e tij dhe duke pasur një qasje shumë më konstruktive ndaj NATO-s.

Unë nuk mund të paragjykoj se kë do të zgjedhë populli amerikan. Por sondazhet tregojnë mbështetje të jashtëzakonshme për NATO-n. Në një sondazh të fundit të YouGov, më shumë se 60 për qind e amerikanëve shprehen të gatshëm të mbrojnë aleatët. Republikanët dhe demokratët e kuptojnë shumë mirë konkurrencën shumë të komplikuar me Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut. Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë për të gjithë aleatët e tyre në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës. Kina nuk do të ketë kurrë kaq shumë aleatë. Kjo është arsyeja pse NATO është e çmuar për ne në Evropë, por edhe shumë e rëndësishme për Amerikën. Le të sigurohemi që të mos e gërryejmë besimin tek Neni 5 i NATO-s. Ne kemi më shumë se kurrë nevojë për njëri-tjetrin. Qëndrimi së bashku i shërben interesave të dy anëve të Atlantikut.

A duhet të përgatiten aleatët për një rikthim hipotetik të Trump në Shtëpinë e Bardhë? A ka ardhur koha ta pranojmë që SHBA nuk garanton më sigurinë e Evropës?

Kjo është një bisedë që po bëhet prej më shumë se 20 vjetësh. Në NATO, të 27 shtetet e BE-së kanë vetëm 20 për qind të totalit të shpenzimeve të mbrojtjes. Unë jam një mbështetës i fortë i projektit të Bashkimit Evropian, por besoj se është kundër-produktive të bëjmë profeci si ato të Kasandrës për gjëra që nuk do të ndodhin.

Amerika ka nevojë për ne. Dhe ne kemi nevojë për Amerikën. Ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin. BE-ja është relativisht e dobët në mbrojtje për shkak të mungesës së investimeve prej dekadash, por edhe për shkak të fragmentimit të tregut të saj të mbrojtjes. Ndaj, NATO është partneri më i mirë i BE-së për të shmangur fragmentimin e saj./Përshtati Pamfleti nga “El Pais”

numri 2 i nato kërcënimi bërthamor i putinit presion psikologjik mircea geoană