TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Korrik 2026, 16:42

Çfarë do të sjellë Këshilli Kombëtar i PD? Saimir Korreshi rivalizon Nokën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë do të sjellë Këshilli Kombëtar i PD?

Partia Demokratike do të mbledhë sot në orën 18:00, Këshillin Kombëtar, ku pritet të zyrtarizohet riformatimi i strukturës drejtuese të selisë blu.

Anëtarët e Këshillit do të votojnë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, si edhe drejtuesit e forumeve të tjera, në një proces që konsiderohet vendimtar për organizimin e opozitës në periudhën e ardhshme.

Gara më e fortë pritet të zhvillohet për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë Flamur Noka dhe Saimir Korreshi. Noka pritet të rikandidojë për mandatin e dytë si numri dy i Partisë Demokratike, por duket se përballë do të ketë deputetin lushnjar.

Këshilli Kombëtar do të votojë gjithashtu edhe për dy postet e nënkryetarëve të PD-së. Në njërën garë do të përballen Luciano Boçi dhe Belind Këlliçi, ndërsa në garën tjetër do të konkurrojnë Erisa Bajazhi dhe Nikola Kedhi.

Interes pritet të ketë edhe gara për Sekretariatin Ligjor, ku do të përballen dy juristët e rinj të Partisë Demokratike, Franc Nuri dhe Marash Logu. Ivi Kaso ka vendosur të mos rikandidojë.

Po ashtu, vëmendje pritet të marrë edhe procesi për zgjedhjen e drejtuesve të Sekretariatit Organizativ dhe anëtarëve të Komisionit të Apelimit në PD.

Në postet e tjera drejtuese nuk priten ndryshime të rëndësishme. Gazment Bardhi do të vijojë të drejtojë Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, ndërsa Agron Gjekmarkaj do të mbetet nënkryetar i Kuvendit. Sipas statutit të PD-së, të dy e fitojnë automatikisht statusin e nënkryetarit të partisë, për shkak të funksioneve që ushtrojnë.

Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi nuk do të rikandidojë për postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike, duke i hapur rrugë një emri të ri në drejtimin e partisë.

Megjithatë, debati brenda Partisë Demokratike nuk lidhet vetëm me emrat në garë, por edhe me mënyrën se si po zhvillohet procesi i përzgjedhjes. Ashtu si ndodhi edhe me zgjedhjen e papritur të Julia Emirit në krye të Këshillit Kombëtar, edhe këtë herë kandidatët për disa nga postet më të rëndësishme janë mbajtur të fshehtë deri në momentin e votimit.

Rezultati i mbledhjes së Këshillit Kombëtar pritet të përcaktojë përbërjen e Kryesisë së re të Partisë Demokratike, e cila do të ketë rol kyç në drejtimin e opozitës dhe në përgatitjet për sfidat e ardhshme politike dhe elektorale.

partia demokratike keshilli kombetar gare pd korreshi noka

Lini një Përgjigje