TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Korrik 2026, 15:12

Tabaku: Raporti i SPAK nxjerr në pah depërtimin e parave të pista në ekonomi

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku: Raporti i SPAK nxjerr në pah depërtimin e parave të pista
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se raporti dhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej vitesh nga opozita për depërtimin e parave të krimit dhe korrupsionit në ekonominë shqiptare.

Gjatë raportimit të drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, zëvendësdrejtuesve të institucionit dhe kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Tabaku u ndal te lidhja mes krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

"Raporti dhe hetimet e SPAK po konfirmojnë shqetësimet që opozita ka ngritur prej vitesh për depërtimin e parave të krimit dhe korrupsionit në ekonominë shqiptare", u shpreh deputetja.

Sipas Tabakut, të dhënat e paraqitura nga SPAK tregojnë se krimi i organizuar, korrupsioni dhe pastrimi i parave nuk janë më fenomene të ndara, por funksionojnë si pjesë e një sistemi të vetëm.

"Këto nuk janë më fenomene të veçuara, por pjesë e një sistemi të ndërlidhur që prodhon para të paligjshme dhe më pas i fut ato në ekonominë formale", tha ajo.

Deputetja vlerësoi faktin që SPAK ka identifikuar pasuritë e paluajtshme dhe bizneset me përdorim të lartë të parasë fizike si destinacionet kryesore të procesit të pastrimit të parave.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhej me kompanitë me pronësi nominale.

"Hetimet nuk duhet të ndalen vetëm te personat e vendosur formalisht në krye të kompanive, por duhet të ndjekin rrjedhën e parave deri te kontrolluesit dhe përfituesit realë të këtyre skemave", deklaroi Tabaku.

Ajo kërkoi gjithashtu që hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të mos fokusohen vetëm te veprat e korrupsionit, por edhe te pastrimi i të ardhurave që burojnë prej tij.

"Goditja e korrupsionit mbetet e paplotë pa identifikuar mënyrën se si paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme pastrohen, investohen dhe rikthehen në ekonomi përmes kompanive, pronave dhe ndërtimeve", tha deputetja.

Në përfundim, Tabaku kërkoi që sektori i ndërtimit të përfshihet në raportet e ardhshme të SPAK si një sektor me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Sipas saj, "mbrojtja e SPAK-ut dhe forcimi i kapaciteteve të tij janë të domosdoshme për të goditur sistemin që ka lidhur korrupsionin politik, krimin e organizuar dhe ekonominë e parave të pista".

deputetja e partisë demokratike jorida tabaku spak klodian braho

Lini një Përgjigje