Rezoluta e Kuçanës: Stop "mulizimit" dhe rikthim te parimet e Rithemelimit
Partia Demokratike do të mbledhë sot pasdite Këshillin Kombëtar, me qëllim riformatimin e kupolës drejtuese, ku pritet të votohen Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët dhe drejtuesit e forumeve të tjera.
Por mbledhja sot pritet të ketë debate. “Pamfleti” ka siguruar një rezolutë të hartuar nga anëtarja Ilijana Kuçana, e cila pritet të prezantohet sot në mbledhje.
Dokumenti, që i është drejtuar Këshillit Kombëtar dhe për dijeni kryetarit të PD-së, Sali Berisha, përmban një sërë propozimesh politike dhe organizative, por edhe kritika të drejtpërdrejta për mënyrën se si, po drejtohet aktualisht Partia Demokratike.
Në rezolutë argumentohet se zhvillimet politike të muajve të fundit dhe protestat qytetare kundër qeverisë kanë nxjerrë në pah nevojën që Partia Demokratike të reflektojë mbi rolin e saj opozitar dhe mbi mënyrën e funksionimit të strukturave të brendshme. Propozimi më i rëndësishëm i saj është çrrënjosja e PD nga “mulizimi”.
Sipas Kuçanës, pozicionet kyçe të Partisë Demokratike, si Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretariatet, nuk duhet të kthehen në mekanizma emërimesh të mbyllura, pasi kjo "mbjell pabarazi, vret meritokracinë dhe prodhon veçse përçarje e kriza të njëpasnjëshme". Për këtë arsye, ajo kërkon transparencë absolute në përzgjedhjen e drejtuesve dhe fundin e praktikave që, sipas saj, kanë deformuar demokracinë e brendshme të partisë.
“Duke parë degradimin e jetës institucionale të partisë, refuzojmë kategorikisht “Mulizimin” si një model anadollak që e kthen organizatën në një çiflik klanor. Nuk mund të pranojmë që pozicioni kritik i Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve apo Sekretariateve të kthehet në një mekanizëm emërimesh në errësirë, që mbjell pabarazi, vret meritokracinë dhe prodhon veçse përçarje e kriza të njëpasnjëshme. Për të shmangur një kolaps të ri politik, kërkojmë transparencë absolute në hartimin e listave zyrtare dhe çrrënjosjen e menjëhershme të kësaj praktike primitive, e cila cenon rëndë rregullat e brendshme dhe frymën e konkurrencës së ndershme”, thekson ajo.
Sipas Kuçanës, protestat e zhvilluara në Shqipëri dhe në diasporë tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk e ndjen ende veten të përfaqësuar plotësisht nga Partia Demokratike. Ajo vlerëson se lëvizja qytetare ka kaluar fazën e një reagimi spontan dhe është shndërruar në një lëvizje me kërkesa të qarta politike, ndërsa reagimi i opozitës ka qenë më i vakët sesa pesha që kanë marrë zhvillimet.
Për këtë arsye, rezoluta propozon që Partia Demokratike të deklarojë mbështetje të plotë për protestat qytetare, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të saj t'u bashkohen atyre si qytetarë, pa ndërhyrë në organizimin e tyre.
Dokumenti kërkon gjithashtu që PD të mbështesë zyrtarisht pesë kërkesat e Grupit Koordinues të Protestës, të shpallura më 26 qershor, ku përfshihet dorëheqja e qeverisë dhe ngritja e një qeverie teknike, si edhe të dënojë dhunën policore ndaj protestuesve dhe të kërkojë përgjegjësi ligjore për efektivët dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të përfshirë në këto episode.
Rezoluta e plotë
DREJTUAR: Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
PËR DIJENI: Z. Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike
NGA: Ilirjana Kuçana, Anëtare e Keshillit Kombëtar
LËNDA: Propozim për Rezolutë Urgjente dhe Reforma
I nderuar z. Kryetar,
Në emër të përgjegjësisë politike që mbajmë përpara demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë, Unë, Ilirjana Kuçana, si anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kam ndjekur me vëmendje të lartë qytetare protestat popullore të zhvilluara në mbarë Shqipërinë dhe në diasporë kundër keqqeverisjes së Partisë Socialiste.
Në analizë të situatës politike aktuale, konstatoj se:
1. Ekzistenca e një hendeku përfaqësimi
Këto protesta dëshmojnë se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile nuk e ndjen ende zërin, kauzën dhe aspiratën e saj të përfaqësuar plotësisht nga Partia Demokratike.
2. Evoluimi i lëvizjes qytetare
Tubimet kanë tejkaluar qëllimin e tyre fillestar, duke u shndërruar në një uragan popullor me kërkesa të qarta politike.
3. Pamjaftueshmëria e reagimit institucional
Deklaratat publike dhe qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike në mbështetje të kësaj lëvizjeje rezultojnë të pamjaftueshme për t'iu përgjigjur peshës dhe rëndësisë së situatës.
4. Devijimi nga parimet e Rithemelimit
Me shqetësim vërejmë se Partia Demokratike jo vetëm që ka devijuar nga parimet e premisat e procesit të Rithemelimit, por ka aplikuar një proces të sforcuar të hapjes, gjë që në fakt ka prodhuar një bunkerizim të ri brenda kupolës së saj drejtuese.
5. Manipulimi i listës përfundimtare të anëtarëve të Këshillit Kombëtar
Me keqardhje konstatoj se lista përfundimtare e anëtarëve të Këshillit Kombëtar nuk është ajo e shpallur pas votimit nga Kuvendi Kombëtar.
Argumenti se në listë janë shtuar 37 emra pasi kanë marrë numër të njëjtë votash, jo vetëm që është tallje me demokratët dhe fyerje e inteligjencës së tyre, por nuk mbështetet nga asnjë probabilitet matematikor apo statistikor.
Mbi këtë bazë, unë e vlerësoj protestën qytetare si një sfidë reale për legjitimitetin, besueshmërinë dhe të ardhmen e vetë Partisë Demokratike.
II. REZOLUTA URGJENTE E KËSHILLIT KOMBËTAR
Për sa më sipër, kërkoj nga Ju, z. Kryetar, dhe Këshilli Kombëtar miratimin e një rezolute me këto pika:
Mbështetja pa kushte e protestës: Partia Demokratike të deklarojë mbështetjen e saj të plotë për protestën qytetare, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të saj t'i bashkohen asaj si protestues, pa u përfshirë në organizimin e saj.
Legjitimimi i kërkesave politike: Të mbështeten zyrtarisht kërkesat me pesë pika të shpallura nga Grupi Koordinues i Protestës më datë 26 qershor 2026, ku prioritet absolut mbetet dorëheqja e qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie teknike.
Dënimi i dhunës shtetërore: Të dënohet me forcë dhuna policore e ushtruar ndaj protestuesve paqësorë dhe të kërkohet mbajtja e përgjegjësisë direkte ligjore për të gjithë efektivët e drejtuesit e Policisë së Shtetit të përfshirë në këto akte.
III. PLATFORMA PËR HAPJEN DHE RINOVIMIN E PARTISË
Me qëllim kthimin te parimet e Rithemelimit dhe shndërrimin e Partisë Demokratike në një ofertë reale qeverisëse për shqiptarët, propozoj:
1. Ngritjen e Forumit të Intelektualëve
Krijimin e një forumi të hapur publik, i cili do të shërbejë si një urë e fuqishme ndërlidhëse mes shoqërisë dhe Partisë Demokratike.
Kjo strukturë do të bëjë bashkë personalitete e mendimtarë nga vendi dhe diaspora, të cilët nuk kanë detyrimisht një kartë anëtarësie partiake, duke thyer kështu izolimin politik të kupolës.
2. Krijimin e "Forumit Studentor për Shpëtimin e Shqipërisë"
Ngritjen e një platforme të hapur e të gjerë dialogu me pjesëmarrjen e studentëve nga Shqipëria dhe diaspora.
Ky forum do të funksionojë si një hapësirë ku gjenerata e re merr rol vendimmarrës, duke garantuar se elitat e reja universitare kontribuojnë direkt në ofertën politike opozitare.
IV. PAPAJTUESHMËRIA ME MANDATIN DHE ÇRRËNJOSJA E "MULIZIMIT" KLANOR
Partia Demokratike lindi si një lëvizje vlerash dhe mendimi të lirë. Është krejtësisht e papranueshme që pas më shumë se tri dekadash ekzistencë, ajo të rrezikojë të drejtohet nga një grup injorantësh funksionalë ose nga individë pa integritet.
Për të rikthyer besueshmërinë tonë në publik, kërkoj forcimin e kritereve etike dhe politike:
i) Parimi i Papajtueshmërisë me Mandatin Drejtues
Mbështetur në propozimin e paraqitur më herët në Këshillin Kombëtar, si një pikë esenciale që i rikthen moralin, dinjitetin dhe besueshmërinë publike Partisë Demokratike, kërkojmë sanksionimin e prerë të normës së papajtueshmërisë me mandatin drejtues.
Çdo individ që ka lidhje direkte apo indirekte interesash ekonomike dhe biznesi të lidhur me qeverinë më të korruptuar të Europës, e ka të papajtueshëm ushtrimin e çdo funksioni drejtues në strukturat e PD-së, qofshin këto në qendër apo në bazë.
Ky standard etik na ndan përfundimisht nga sistemi korruptiv që po mbron pushtetin aktual.
ii) Zhdukja e "Mulizimit" dhe Çlirimi i Garës së Brendshme
Duke parë degradimin e jetës institucionale të partisë, refuzojmë kategorikisht "Mulizimin" si një model anadollak që e kthen organizatën në një çiflik klanor.
Nuk mund të pranojmë që pozicioni kritik i Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve apo sekretariateve të kthehet në një mekanizëm emërimesh në errësirë, që mbjell pabarazi, vret meritokracinë dhe prodhon veçse përçarje e kriza të njëpasnjëshme.
Për të shmangur një kolaps të ri politik, kërkojmë transparencë absolute në hartimin e listave zyrtare dhe çrrënjosjen e menjëhershme të kësaj praktike primitive, e cila cenon rëndë rregullat e brendshme dhe frymën e konkurrencës së ndershme.
iii) Pastrimin e listës së anëtarësisë së Këshillit Kombëtar dhe masa ndaj personave përgjegjës
Partia Demokratike duhet të zhbëjë manipulimin e listës së anëtarësisë së Këshillit Kombëtar duke e kthyer atë te lista e ligjshme e votuar nga Kuvendi Kombëtar dhe të merren masa ndëshkimore ndaj personave përgjegjës sipas Statutit të PDSH.
Unë kam besim të plotë se këto kërkesa jetike do të realizohen me maturi dhe vizion nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, dhe Këshilli Kombëtar.
Ky proces reformimi dhe reflektimi do t'i shërbejë drejtpërdrejt suksesit elektoral dhe politik të Partisë Demokratike, duke e shndërruar atë në forcën e vetme dhe të pakonkurrueshme udhëheqëse për ndryshimin e madh që pret vendi.
A je mirë apo ke humbur aftësinë mendore? Protestuesit kërkojnë 2 gjëra: 1] Edi të shkojë në burg! 2] Berisha të shkojë në burg! Si mund të jesh i pranishëm si PD? Ata duan kokën e udhëheqësit tënd! Dhe ti po ia drejton këtë letër Berishës [2 më sipër]! Të bashkohesh me demonstruesit është e barabartë me të rënë dakord që Berisha të shkojë në burg! Ata nuk e duan Berishën, as Ramën. Likuidim të plotë të rreshtimit politik ekzistues! A e dinit këtë?