
Parandalimi i rivalëve, do të mbetet një element i rëndësishëm i qasjes së tij.
Stephen Wertheim, është një historian i njohur politikës së jashtme të SHBA-së. Ai është një anëtar i Carnegie Endowment for International Peace, një institut kërkimor me qendër në Uashington dhe profesor në Universitetin Prinston. Libri i tij i fundit titullohet “Bota e nesërme: Lindja e supremacisë globale të SHBA-së.
Çfarë roli luajti politika e jashtme në rizgjedhjen e Donald Trump?
Si në shumë vende të tjera, fushatat zgjedhore në SHBA, janë të fokusuara më shumë tek çështjet e brendshme. Gjithsesi, politika e jashtme luajti një rol të ngjashëm si rreth 50 vjet më parë.
Ç’doni të thoni me këtë?
Në vitet 1970, pasi Shtetet e Bashkuara pësuan një lloj poshtërimi kombëtar si rezultat i luftës në Vietnam, amerikanët donin të pajtoheshin me veten dhe të ndiheshin sërish mirë për rolin e vendit të tyre në botë. Të dyja palët po mendonin se si mund të arrihej kjo. Përgjigja e Jimmy Carter, ishte një politikë e jashtme e bazuar tek të drejtat e njeriut, një qasje idealiste, e ndikuar nga thirrjet idealiste ndaj vlerave të demokracisë liberale. Por ajo në përgjithësi dështoi.
Sepse midis zhvillimeve të tjera, Bashkimi Sovjetik e pushtoi Afganistanin në fund të vitit 1979?
Po, pati një ringjallje të tensioneve të Luftës së Ftohtë. Pasardhësi i Carter, Ronald Reagan pati një përgjigje të ndryshme, të përqendruar tek ideja e “paqes përmes forcës”, një formulë që po e përdor sot presidenti i sapozgjedhur Donald Trump. Por si Carter ashtu edhe Reagan përdorën shumë një gjuhë moraliste për shkak të dështimit të perceptuar të real-politikës.
Ndërkohë Trump po thotë: Ne kemi provuar kryqëzata idealiste, të cilat nuk arritën dot asgjë. Ndaj le të jemi më kokëfortë dhe të ndjekim një politikë të jashtme që i sjell përfitime Amerikës. Pra, Trump hedh poshtë moralizmin e demokratëve dhe republikanëve neo-konservatorë.
Dhe me sa duket me njëfarë suksesi...
Luftërat në Evropë dhe Lindjen e Mesme, e kanë ndihmuar atë të përcjellë përshtypjen se bota është në flakë. Mesazhi i tij kryesor gjatë fushatës ishte: administrata Biden shfaqi një udhëheqje të dobët. Gjithçka ishte më e mirë, më e sigurt dhe më e qëndrueshme nën udhëheqjen time. Nëse do të kisha qenë president, këto luftëra nuk do të kishin shpërthyer. Dhe nëse bëhem sërish president, do t'i jap fund shpejt atyre. Ndaj votoni për mua.
A mendoni se mund ta mbajë premtimin?
Unë nuk mendoj se ai mund ta mbajë premtimin e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve. Por mund të nxisë negociatat midis dy palëve. Tani për tani, ky konflikt është në ngërç dhe Trump mund ta ndryshojë këtë, për mirë a keq qoftë. Nëse është i vendosur ta riorientojë SHBA-në larg Evropës, ai mund ta bëjë këtë.
A do t’i këshillonit evropianët të rrisin sa më shpejt shpenzimet e tyre në mbrojtje?
Ata duhet të përballen me një realitet që s’ka të bëjë fare me rezultatet e zgjedhjeve. Shtetet e Bashkuara nuk janë sot të gatshme të jenë ndihmësja kryesore ushtarake për Evropën. Nëse do të ketë një sulm në territorin e NATO-s, SHBA-ja mund të mos jetë në gjendje ose të mos dëshirojë të dalë në mbrojtje të këtij territori.
Evropa është shumë e vonuar në mbrojtjen e vetes. Kjo do të ishte e vërtetë edhe nëse zgjedhjet do t’i kishte fituar Harris. Sigurisht, zgjedhja e Trump e shton presionin për ta. Por unë nuk mendoj se Trump do të tërhiqet nga NATO apo se do të tërheqë shumicën e trupave amerikane nga Evropa.
Cila është strategjia kryesore Trump? Çfarë synon të arrijë ai në politikën botërore?
Parandalimi i rivalëve, do të mbetet një element i rëndësishëm i qasjes së tij. Por a do të fokusohet ai tek kundërshtari më i fortë, Kina, apo do të bëjë marrëveshje me Rusinë, ndoshta edhe me Korenë e Veriut? Kjo është një mundësi. Trump beson se zotëron njëfarë ashpërsie dhe karizme në bindjen e një kundërshtari për t’u ulur në tryezë dhe arritur një marrëveshje. Ndërsa demokratët janë bërë shumë më ngurrues ndaj negociatave me kundërshtarët, veçanërisht nën administratën Biden.
Parandalimi ushtarak përfshin edhe arsenalet bërthamore të fuqive të mëdha. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e kërcënoi Korenë e Veriut me “zjarr dhe tërbim” dhe “butonin e tij bërthamor”. Disa madje folën për mundësinë që SHBA-ja të përdorte e para armët bërthamore. Ku qëndron sot Trump mbi këtë çështje?
Nuk e di, dhe nuk jam i sigurt se ai e di. Por është logjike që nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në ruajtjen e objektivave të saj gjeopolitike, dhe nuk e zhvendosin barrën e mbrojtjes mbi supet e aleatëve, atëherë i mbeten dy opsione. E para është të shpenzojë shumë më tepër në mbrojtje, ndoshta 2 apo 3 herë më shumë.
Opsioni tjetër, do të ishte gjetja e një mënyre të zgjuar për të kompensuar përparimet e kundërshtarëve tanë në fuqinë ushtarake konvencionale. Kjo të çon në idenë e përshkallëzimit të përdorimit të armëve bërthamore si një mjet parandalimi. Mendoj se ky hap do të ishte i gabuar, dhe nuk do të ishte një kërcënim shumë i besueshëm.
Çfarë mund të shkruajnë historianët si ju për rizgjedhjen e Donald Trump, pas 25 ose 50 vjetësh?
Është shumë e vështirë t’i kuptosh këto ngjarje në kohën që ndodhin. Në vitet 2016 dhe 2020, disa njerëz nxituan të nxirrnin përfundime, dhe kjo i çoi shpesh në rrugë të gabuar. Joe Biden mori detyrën 4 vjet më parë dhe tha: Amerika është kthyer! Tani është rikthyer Donald Trump. E vërteta është e njëjta Amerikë që zgjodhi dikur Joe Biden, zgjodhi këtë herë Trumpin. Ne duhet të heqim dorë nga ideja se Trump ishte një aksident./Përshtati "Pamfleti" nga “Der Spiegel”
Lini një Përgjigje