TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Mars 2023, 20:49

Çfarë pritet të ndodhë nëse Donald Trump arrestohet nesër?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë pritet të ndodhë nëse Donald Trump arrestohet
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump

Arrestimi i Trump do të thellonte dhe nxiste ndarje edhe më të mëdha brenda sistemit politik amerikan.

Ish-Presidenti Donald Trump paralajmëroi këtë të shtunë që shkoi, se ekziston një mundësi e lartë që ai të arrestohet të martën. Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, Trump do të bëhet ish-presidenti i parë në historinë e SHBA që do të përballet me akuza penale.

Por për çfarë akuzohet Trump?

Në vitin 2016, gjatë kohës kur Trump po përgatitej të bëhej president, ylli i filmit për të rritur, Stormy Daniels kontaktoi me mediat dhe ju ofroi atyre kundrejt pagesës, informacione që provonin se ajo dhe Trump kishin pasur lidhje jashtëmartesore.

Ekipi i presidentit Trump e kuptoi këtë dhe avokati i tij Michael Cohen mori përsipër të mbylli çështjen që të mos bëhej publike dhe pagoi pornostaren Daniels, 130,000 dollarë për të heshtur.

Kjo nuk është e paligjshme. Megjithatë, kur Trump rimbursoi Cohen shumë që ai i kishte dhënë pornostare, në të dhënat për pagesën thuhej se ishte për tarifat ligjore. Për këtë Prokurorët thonë se kjo do të thotë që zoti Trump falsifikon të dhënat e biznesit, që është një kundërvajtje ligjore në Nju Jork.

Prokurorët pretendojnë gjithashtu se kjo shkel ligjin zgjedhor, sepse përpjekja e tij për të fshehur pagesat e tij ndaj zonjës Daniels ishte e motivuar nga mosdashja që votuesit të dinin se ai kishte një lidhje me të. Mbulimi i një krimi duke falsifikuar të dhënat është një akuzë e rëndë.

A do të akuzohet vërtet?

Vendimi nëse do të ngrihen akuza i takon Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut, Alvin Bragg. Ai ngriti jurinë e madhe për të hetuar nëse kishte prova të mjaftueshme për të nisur një ndjekje penale, dhe ai është i vetmi që e di nëse - ose kur - do të shpallet një aktakuzë.

Javën e kaluar, avokatët e Trump thanë se ish-presidentit iu ofrua një shans për t'u paraqitur para jurisë së madhe, gjë që konsiderohet një shenjë se hetimi është afër përfundimit. Avokatët kanë minimizuar sugjerimet se ata ose Trump kanë ndonjë njoftim paraprak për një aktakuzë të afërt, duke thënë se komenti i tij në lidhje me të martën bazohej në raportet e mediave.

Çfarë ndodh nëse Trump arrestohet?

Nëse ai akuzohet, avokatët e zotit Trump kanë treguar se arrestimi i ish-presidentit do të ndiqte procedurë standarde. Kjo do të thotë se ai do të udhëtonte nga shtëpia e tij në Mar-a-Lago në Florida për të bërë një paraqitje në gjykatën e qytetit të Nju Jorkut, të kompletuar me një prenotim zyrtar, gjurmë gishtash dhe fotografi.

Duke pasur parasysh natyrën historike të një lëvizjeje të tillë dhe shqetësimet e sigurisë të përfshira, mënyra se si do të shpaloset kjo është e pasigurt dhe ka të ngjarë të jetë objekt negocimi midis zyrës së prokurorit të qarkut dhe ekipit të Trump. Pasi çështja të rezervohet dhe të zgjidhet një gjyqtar, detaje të tjera do të vendosen, të tilla si koha e gjykimit dhe kufizimet e mundshme të udhëtimit dhe kërkesat për lirimin me kusht për të pandehurin.

Një dënim për kundërvajtje do të rezultonte me gjobë. Nëse zoti Trump do të dënohej për akuzën e krimit, ai do të përballej me një dënim maksimal prej katër vjet burg, megjithëse disa ekspertë ligjorë parashikojnë se një gjobë është më e mundshme dhe se vendosja pas hekurave është shumë e pamundur.

A do të ketë protesta?

Pasi sugjeroi në një postim në rrjetet sociale se ai do të paditet të martën, Trump bëri thirrje të përsëritura për protesta masive nga mbështetësit e tij: "Ne thjesht nuk mund ta lejojmë këtë. Ata po vrasin kombin tonë, ne nuk mund vetëm të ulemi dhe të shikojmë”.

Gjuha e tij i bën jehonë retorikës së zemëruar që ai përdori përpara sulmit në Kapitolin e SHBA-së në vitin 2021 dhe ka ngritur shqetësime për mundësinë e dhunës. Prokurori i çështjes, Bragg është në kontakt të ngushtë me policinë e Nju Jorkut dhe sigurinë e gjykatës, sipas një letre drejtuar departamentit të tij që u zbulua në shtyp të dielën.

“Ne nuk tolerojmë përpjekjet për të frikësuar zyrën tonë apo për të kërcënuar sundimin e ligjit në Nju Jork. Partnerët tanë të zbatimit të ligjit do të sigurojnë që çdo kërcënim specifik ose i besueshëm kundër zyrës do të hetohet plotësisht dhe se ekzistojnë masat e duhura mbrojtëse", tha ai.

Megjithatë për momentin, ka pasur pak prova deri më tani për llojin e protestave masive të organizuara që çuan në sulmin e 6 janarit.

A mundet Trump të kandidojë ende për president nëse dënohet?

Një aktakuzë apo edhe një dënim penal nuk do ta pengonte Trump të vazhdojë fushatën e tij presidenciale nëse ai vendos kështu dhe ai ka dhënë çdo indikacion se do të vazhdojë të ecë përpara pavarësisht se çfarë ndodh.

Në fakt, nuk ka asgjë në ligjin amerikan që e pengon një kandidat që shpallet fajtor për një krim që të bëjë fushatë dhe të shërbejë si president, madje edhe nga burgu. Megjithatë, arrestimi i zotit Trump do ta ndërlikonte fushatën e tij presidenciale. Arrestimi i Trump gjithashtu do të thellonte dhe nxiste ndarje edhe më të mëdha brenda sistemit politik amerikan.

Konservatorët besojnë se ish-presidenti po mbahet me një standard tjetër drejtësie, ndërsa liberalët e shohin këtë si një çështje të mbajtjes së përgjegjësisë ndaj shkelësve të ligjit madje edhe atyre në pozitat më të larta të pushtetit./Përshtati “Pamfleti” nga “BBC”

trump arrestimi shba

Lini një Përgjigje