
Kryeministri aktual i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka fituar një mandat të dytë për qeverinë e tij. Në zgjedhjet e mbajtura ditën e djeshme në Greqi, Mitsotakis ka marrë shumicën e votave të qytetarëve grekë, 40.8%.
Pas fitores së partisë Demokracia e Re, ai tha se ky është një mandat i fuqishëm për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve.
Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit ka fituar 40.5 për qind të votave, pothuajse 23 për qind më shumë sesa partia e Tsipras, Syriza. Ai e ka mposhtur Syrizan edhe në maj, mirëpo i ka shpallur zgjedhjet e reja për të fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur shtetin vetë.
“Demokracia e Re është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Evropë”, u shpreh Mitsotakis para mbështetësve të vet në Athinë. Ai njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë dhe menaxhimin e borxheve. Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik.
Partia e Tsiprasit, Syriza, ka humbur edhe më thellë sesa në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18 për qind të votave. Ai i ka hedhur poshtë spekulimet për dorëheqje, duke thënë se një vendim i tillë u takon pjesëtarëve të partisë.
Lini një Përgjigje