
Ne kemi identifikuar 6 taktika kryesore që përdorin terroristët për të mobilizuar njerëzit që mbështesin kauzën e tyre.
Fjalët janë mjete të fuqishme. Ekstremistët e dhunshëm e dinë shumë mirë këtë, prandaj shpesh i zgjedhin me shumë kujdes shprehjet e tyre, për të nxitur besnikërinë e vazhdueshme të ndjekësve të tyre.
Kur fjalët përdoren pikërisht në këtë mënyrë, ato mund të shkaktojnë dëme të mëdha.
Meqenëse fjalët e tyre zgjidhen kaq qëllimisht, studiuesit mund të kërkojnë modele, tendenca dhe sinjale paralajmëruese. Po çfarë thonë saktësisht ekstremistët, që e rrit numrin e ndjekësve, nxit urrejtje dhe dhunë, në fund të fundit mund të çojë në sulme vdekjeprurëse?
Studimi ynë, shqyrtoi retorikën e ekstremistëve që fshihen pas disa prej sulmeve më të rënda terroriste në historinë e kohëve të fundit. Ne kemi identifikuar 6 taktika kryesore që përdorin terroristët për të mobilizuar njerëzit që mbështesin kauzën e tyre.
Duke qenë në gjendje të dallojmë taktikat, ne mund ta çmontojmë gjuhën dhe t'i mbrojmë njerëzit dhe komunitetet nga radikalizimi.
Përça dhe sundo
Në studimet e mëparshme, analizuam gjuhën nxitëse të ekstremit të djathtë në manifestin 87-faqësh të sulmuesit të Kristçërç në Zelandën e Re. Këtë herë
shqyrtuam tekstet xhihadiste. Këtu përfshihen fjalimet e ish-liderit të Al-Kaedës, Osama bin Laden, pas 11 shtatorit dhe deklaratat e ish-liderit të Shtetit Islamik,
Ebu Bekr El-Baghdadi, në revistën e organizatës ekstremiste.
Ne përdorëm analizën gjuhësore për t’u përqendruar mbi mënyrën se si gjuha përdorej strategjikisht, si për të zvogëluar ashtu edhe për të theksuar dallimet kulturore. Dhe zbuluam 2 lloje kryesore të mesazheve nxitëse: ato që forcojnë lidhjet brenda grupit për të ndërtuar një qëllim të përbashkët dhe ato që e ndajnë grupin nga të jashtmit dhe i paraqesin të tjerët si armiq.
Ky lloj mesazhesh, mund ta përçajë shoqërinë dhe t’i bëjë njerëzit të identifikohen fort me grupin. Rrjedhimisht, ndjekja e rregullave të grupit - madje edhe veprimet ekstreme - mund të duket si një provë se dikush i përket vërtet atij grupi dhe është besnik.
Por në ekstremizmin e dhunshëm, vetëm komandat shpesh nuk janë të mjaftueshme për të frymëzuar dhunën ose për të mobilizuar mbështetje. Pra, si i përdorin ekstremistët këto strategji themelore për t’i bindur njerëzit të veprojnë?
1. Dallimi në armë
Ekstremistët nuk i etiketojnë të huajt vetëm si të ndryshëm nga ata, por i paraqesin të tjerët jashtë grupit të tyre si të pamoralshëm dhe të rrezikshëm. “Ne” përkundrejt “atyre”, bëhet sfondi për thirrjet e mëvonshme për veprim. Nxitësit e lidhin besnikërinë dhe nderin me kërcënimet nga të huajt.
Osama bin Ladeni nxiti dhunë kundër qeverive arabe pro-amerikane, duke i quajtur ato “qeveri tradhtare dhe bashkëpunëtore… të krijuara enkas për të zhdukur Xhihadin”. Autori i masakrës në Kristçërç, Brenton Tarrant, i sulmoi organizatat joqeveritare që mbështesin emigrantët, duke i quajtur ato si “tradhtare”. Ai i quajti emigrantët “si llumi dhe jo të bardhë”, dhe i krahasoi ata me një “fole nepërkash” që duhej asgjësuar. Dehumanizimi i të huajve, forcon lidhjet në grup dhe mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.
2. Evokimi i heronjve dhe ikonave
Ekstremistët përdorin njerëz, vende ose ngjarje të famshme për ta bërë audiencën e tyre të ndihet pjesë e një historie më të madhe. Emra si “Saladin” ose vende si “Hagia Sofia” dhe “Londinium”, i lidhin ndjekësit me ikona ose me beteja të së kaluarës, duke i bërë ata të ndihen si mbrojtës ose hakmarrës.
Tarrant shkruante në manifestin e tij ekstremist: ”Ky pushtues mysliman pakistanez përfaqëson tani popullin e Londrës. Londinium është zemra e Ishujve Britanikë. Çfarë shenje më të mirë të Rilindjes së të Bardhëve mund të ketë, se sa largimi i këtij pushtuesi?”.
3. Ripërdorimi i teksteve fetare
Ekstremistët nuk e përdorin vetë fenë, por versione të shtrembëruara dhe të dekontekstualizuara të teksteve fetare për të justifikuar dhunën. Citimi i Zotit ose i figurave fetare, e bën mesazhin të duket legjitim dhe e paraqet dhunën si një detyrë morale ose shpirtërore.
Kjo gjë e forcon besnikërinë dhe besimin e ndjekësve se aktet e dhunshme u shërbejnë vlerave “tona” të përbashkëta. Kështu Tarrant citoi Papa Urbanin II të Kryqëzatës së Parë, ndërsa El-Baghdadi e citoi gabim Allahun.
4. Ankesa të personalizuara dhe një gjuhë nxitëse
Nxitësit i përshtatin ankesat përpara se audienca t’i shprehë ato. Fjalët si “poshtërim”, “padrejtësi” ose “humbje kulturore”, ndihmojnë në lidhjen e ndjekësve me një kauzë të përbashkët. Osama bin Laden foli dikur për myslimanët që jetojnë në “shtypje” dhe “përbuzje”.
Ndërsa autori i sulmit në Kristçërç paralajmëroi për “politikanë pedofilë” dhe se emigracioni do të “shkatërronte komunitetet tona”. Emërtimi dhe etiketimi i bashkon ndjekësit dhe i ndan ata nga të “jashtmit”.
5. Metafora dhe mesazhe të lidhjes familjare
Osama bin Ladeni e përshëndeti audiencën e tij përmes metaforës të “ushtarëve të Allahut”, ndërsa i përshkroi armiqtë si njerëz që jetojnë “nën flamurin e kryqit”. Kontraste të tilla, e intensifikojnë njëkohësisht besnikërinë dhe armiqësinë.
Nga ana tjetër, termat e lidhjes familjare i tërheqin njerëzit. Fjalë si “vëllezër”, “motra”, “ne” dhe “tona”, i bëjnë të huajt të ndihen si familje. Të quash ndjekësit “vëllezërit tanë myslimanë”, e kthen detyrën politike në një detyrë personale dhe morale - si mbrojtja e familjes.
Këtë e bëri edhe Tarrant, edhe pse në kahun e kundërt. Replika e tij “pse duhet të kesh paqe me myslimanët, kur vëllezërit e tu të tjerë në Evropë, përballen me një luftë të sigurt me ta?”, e lidh dhunën me sigurinë familjare dhe brezat e ardhshëm.
Në të kundërt, termat “ata” dhe “atyre” i shenjojnë të huajt si jo të afërm. Kjo gramatikë gjuhësore e ashpër, e “ne kundrejt atyre”, e dobëson empatinë dhe e bën përjashtimin ose dëmtimin më të lehtë për t’u justifikuar.
6. Detyrimi për veprime të dhunshme
Përveç urdhrave, rekomandimeve ose paralajmërimeve që e udhëzojnë në mënyrë të qartë dikë të bëjë diçka, ekziston edhe shtrëngimi. Ai e bën dhunën të ndihet si një kujdes për grupin. Ekstremistët e bëjnë këtë duke e paraqitur dhunën si një detyrë.
Fraza të tilla si “është e lejueshme” në tekstet xhihadiste, e zhvendosin dhunën nga tabuja tek detyrimi, si në rastin e “është e lejueshme të ua marrësh pronën dhe të derdhësh gjakun”. Po ashtu, ato e paraqesin grupin e jashtëm si një kërcënim ekzistencial.
Kjo e justifikon dhunën parandaluese si vetëmbrojtje ose domosdoshmëri, si në shprehjen e Tarrant se “migracioni masiv do të na privojë nga e drejta e votës, do të përmbysë kombet tona, do të shkatërrojë komunitetet tona, do të shkatërrojë lidhjet tona etnike…”.
Sigurisht, retorika ekstremiste nuk ekziston vetëm në internet. Ajo jehon nëpër protesta, forume dhe debate politike. Teoria e “ Zëvendësimit të Madh ”, dikur e kufizuar vetëm tek manifeste ekstremiste, tani shfaqet në protestat kryesore kundër emigracionit.
Luftimi i ekstremizmit do të thotë të kuptosh taktikat e tij. Politikëbërësit, edukatorët dhe udhëheqësit e komunitetit mund të ndihmojnë, duke identifikuar dhe dekonstruktuar këto taktika nëse ndeshen me to./ Përshtati "Pamfleti"
Lini një Përgjigje