
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dokumenti 28-pikësh i paraqitur si plan paqeje për Ukrainën nuk përbën ofertën e tij përfundimtare. Duke folur para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, ai u pyet nëse propozimi aktual ishte versioni final. “Jo, aspak”, u përgjigj Trump, duke nënvizuar se procesi mbetet i hapur për ndryshime.
Trump përsëriti pretendimin se lufta mes Ukrainës dhe Rusisë “nuk do të kishte ndodhur kurrë” nëse ai do të ishte president gjatë viteve të para të konfliktit. “Duam ta sjellim paqen. Kjo duhej të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Po përpiqemi ta mbyllim këtë luftë, në një mënyrë apo në tjetrën, duhet të përfundojë”, tha ai.
Gjatë deklaratave, presidenti amerikan përdori edhe një koment të paqartë, kur u shpreh: “Pastaj ai mund të vazhdojë të luftojë sa t’i dojë zemra”. Nuk dihet nëse kjo i referohej presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy apo një pale tjetër të përfshirë në konflikt.
Më herët, gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryebashkiakun e zgjedhur të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, Trump kishte deklaruar se Zelenskyy “do t’i duhet ta pëlqejë” planin e SHBA-së. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “besojnë se e kanë gjetur rrugën drejt paqes”, ndërsa theksoi se lideri ukrainas duhet të japë miratimin e tij për zgjidhjen e propozuar.
Plani amerikan vijon të jetë në qendër të debatit ndërkombëtar, ndërsa Kievi, Moska dhe aleatët perëndimorë po analizojnë hapat e ardhshëm diplomatikë.
Lini një Përgjigje