TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Korrik 2026, 20:11

Flakët kërcënojnë Costa Bravën, ushtria izolon zonat turistike (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Flakët kërcënojnë Costa Bravën, ushtria izolon zonat
Zonat turistike

Flakët, të përforcuara nga era, kanë mobilizuar mbi 200 zjarrfikës, ndërsa qeveria rajonale ka kërkuar ndihmën e ushtrisë për shuarjen e zjarrit...

Një zjarr i madh shpërtheu sot pranë destinacionit turistik Costa Brava, në verilindje të Spanjës, duke detyruar autoritetet të vendosin kufizime të qarkullimit në më shumë se 10 komunitete përgjatë bregdetit të Katalonjës, një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit veror. Lajmi u bë i ditur nga shërbimi zjarrfikës i Katalonjës.

Zjarri nisi në orët e mëngjesit pranë komunës La Bisbal d’Empordà, afër qytetit të Gironës, rreth 20 kilometra nga bregu i Detit Mesdhe.

Erërat e forta favorizuan përhapjen e flakëve, ndërsa një re e dendur tymi mbuloi zonën. Si pasojë, autoritetet vendosën kufizime të lëvizjes në mbi 10 zona, përfshirë edhe Platja d’Aro, një qytet i njohur turistik në bregdet.

"Problemi është se zjarri nuk ka një sjellje të qëndrueshme", deklaroi për gazetarët David Borrell, drejtuesi i shërbimit zjarrfikës të Katalonjës.

Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar më shumë se 200 zjarrfikës.

Për të lehtësuar ndërhyrjen, zjarrfikësit u kërkuan banorëve të Barcelonës, të cilët zakonisht vizitojnë këtë zonë gjatë fundjavës, të shtyjnë udhëtimet e tyre. Apeli u publikua përmes rrjetit social X.

Për shkak të përkeqësimit të situatës nga erërat, presidenti i qeverisë rajonale të Katalonjës, Salvador Illa, kërkoi mbështetjen e ushtrisë dhe të Njësisë Ushtarake për Emergjencat (UME), si për shuarjen e këtij zjarri, ashtu edhe të një zjarri tjetër më të vogël që ka shpërthyer më në veri.

"Ky është një zjarr aktiv që ende nuk është vënë nën kontroll", deklaroi Salvador Illa, duke u bërë thirrje banorëve të zonave të prekura të respektojnë udhëzimet e autoriteteve për kufizimin e lëvizjes.

 

costa brava zjarr zona turistike

Lini një Përgjigje