
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në operacione ushtarake në Ngushticën e Hormuzit në kushtet aktuale të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ai theksoi se Franca nuk është palë në konflikt dhe për këtë arsye nuk do të angazhohet në ndërhyrje ushtarake në këtë fazë.
“Franca nuk është palë në këtë konflikt dhe, për këtë arsye, nuk do të marrë pjesë në operacione për hapjen apo çlirimin e Ngushticës së Hormuzit në kushtet aktuale”, u shpreh Macron.
Presidenti francez sqaroi se çdo përfshirje e mundshme do të mund të shqyrtohet vetëm pas përfundimit të armiqësive, duke nënvizuar se aktualisht prioritet mbetet shmangia e përshkallëzimit.
Sipas tij, Parisi po punon për krijimin e një aleance ndërkombëtare që do të garantojë lirinë e lundrimit në këtë zonë strategjike sapo situata të stabilizohet.
“Nëse ndalojnë përplasjet, Franca është e gatshme të kontribuojë në një mision shoqërimi detar në Ngushticën e Hormuzit”, tha Macron.
Ai theksoi gjithashtu se një operacion i tillë do të kërkonte koordinim me aktorët rajonalë, përfshirë Iranin, dhe duhet të jetë i ndarë nga konflikti aktual.
“Çdo mision i ardhshëm duhet të jetë i ndarë plotësisht nga situata aktuale e konfliktit”, shtoi presidenti francez.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për transportin global të energjisë, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të mbeten të larta.
Lini një Përgjigje