TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Shtator 2025, 13:10

Franca në “fazën Ajnshtajniane”: Kriza e Macron dhe gara e hapur drejt 2027

Shkruar nga Pamfleti
Franca në “fazën Ajnshtajniane”: Kriza e Macron dhe gara e
Macron dhe Le Pen

Kriza e brendshme e dobëson fuqinë e Macron për t’u paraqitur si lider i Europës.

Franca është futur në një krizë të re politike, ku gjithçka duket se rrotullohet vetëm rreth një date: zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Sipas Gilles Gressani, drejtor i revistës së gjeopolitikës Le Grand Continent, vendi ka hyrë në një fazë të re “Ajnshtaniane”, ku koha dhe hapësira politike janë bërë relative dhe ku asnjë palë nuk duket e gatshme të qeverisë me vizion, përveçse të fitojë kohë deri te gara për Elize.

Një krizë e ndërtuar mbi tre fronte

Gressani shpjegon se kombinimi i brishtësisë së Emmanuel Macron, presionit të shesheve dhe obsesionit për presidencialet ka krijuar një cikël negativ. “Kriza institucionale gjeneron krizë politike, e cila më pas prodhon krizë sociale”, thotë ai. Në këtë logjikë, asnjë aktor nuk kërkon më stabilitet, por vetëm avantazh elektoral.Qeveri kalimtare apo teknike?

Skenari më i mundshëm është që Franca të ketë një kryeministër “temporeggiatore”, një figurë e përkohshme që do ta çojë vendin deri në vitin 2027. Ideja e një qeverie teknike përmendet shpesh, por sipas Gressanit, në Francë nuk është e lehtë të gjendet një figurë që shihet si neutrale, siç ndodh shpesh në Itali.

Zgjedhje të reja? Përfiton vetëm Le Pen

Çështja e shpërndarjes së Asamblesë ngre pikëpyetje serioze. Republikanët dhe socialistët nuk kanë interes, pasi janë të dobësuar. E vetmja që mund të përfitojë është Marine Le Pen, e cila mund të tentojë edhe rrugën ligjore për të hequr pengesën e saj të kandidimit. Nga ana tjetër, Jean-Luc Mélenchon kërkon përshpejtim të përplasjes dhe zgjedhje të shpejta presidenciale. Por një Asamble e re do të ishte po aq e përçarë, duke e lënë vendin në ngërç.

Macron nuk dorëhiqet

Dorëheqja e presidentit nuk shihet si opsion. “Macron e ka përjashtuar qartë këtë mundësi”, thekson Gressani, duke kujtuar fjalët e Mitterrand se “kundër vullnetit të një njeriu nuk mund të bësh asgjë”. Por çdo krizë e re e shtyn gjithnjë e më shumë drejt idesë së një “Republike të Gjashtë”.

Roli i elitave dhe rreziku i surprizave

Gressani paralajmëron se verën e ardhshme do të jetë “kthesa e fundit” ku do të kuptohet nëse Le Pen do të mbetet kandidate dhe nëse do të shfaqet një figurë e re që mund të përfaqësojë qendrën politike. Nëse jo, ndonjë figurë nga elita ekonomike apo sipërmarrëse mund të dalë si faktor surprizë.

Rruga dhe demografia

Protestat në rrugë pritet të mbeten faktor, por Gressani thekson se problemi kryesor nuk është falimentimi i shtetit, por demografia dhe shpërndarja e pasurisë mes brezave, një sfidë e përbashkët për të gjitha demokracitë e zhvilluara.

Kriza e brendshme dhe imazhi ndërkombëtar

Në arenën ndërkombëtare, Franca ruan një peshë të rëndësishme, siç tregoi edhe vendimi për të njohur shtetin palestinez në OKB. Por kriza e brendshme e dobëson fuqinë e Macron për t’u paraqitur si lider i Europës. Një sondazh i Grand Continent tregon se europianët janë gjithnjë e më të politizuar përballë kërcënimit të Trump, me 39% që duan një BE më të ashpër ndaj presidentit amerikan.

Një paradoks europian

Sipas Gressanit, paradoksi qëndron në faktin se partitë e djathta nuk mund të flasin më për dalje nga BE, sepse elektorati nuk e dëshiron këtë. Ato mbeten “sovranistë të përgjysmuar”, duke kërkuar mbrojtje nga Europa, ndërkohë që kampi pro-BE nuk po arrin të kanalizojë energjinë politike të krijuar si reagim ndaj Trump.

“Është e vështirë të mendohet se një kërkesë kaq e fortë do të mbetet pa një ofertë politike. Prandaj, në një afat të shkurtër, mund të presim ndryshime të rëndësishme në dinamikat e BE-së”, përfundon Gressani./Marrë nga La Repubblica

Lini një Përgjigje