Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, thotë se planet për të ngujuar rajonin e Lindjes së Mesme do të dështojnë dhe “autorët imperialistë dhe sionistë të gjakderdhjes” nuk do të jenë në gjendje të arrijnë qëllimet e tyre.
“Përgjigja më e fortë ndaj këtij gjenocidi 23-mujor të dëshmuar nga i gjithë njerëzimi do të vijë përsëri nga Turqia dhe kombi i saj”, tha Erdogan në një ceremoni publike në Ankara.
“Ne sunduam për shekuj me radhë në toka ku ata që na sfidojnë erdhën vetëm dy ose tre breza më parë. Ne ishim shpata e drejtësisë, duke sjellë rend në botë. Ne nuk jemi as mysafirë dhe as pushtues në këtë rajon. Ne kemi qenë mikpritësit e tij për një mijë vjet dhe do të qëndrojmë këtu deri në fund të kohës.”
Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, Izraeli dje ka nisur ofensivën tokësore në Gaza duke dërguar në rrugët e qytetit tanke dhe makina të blinduara me telekomandë të mbushura me eksplozivë, duke rënë ndesh me kritikat ndërkombëtare dhe gjetjet e komisionit të OKB-së për gjenocid në territorin palestinez.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu , tha se qëllimet e ofensivës janë mposhtja e armikut dhe evakuimi i popullsisë, por duke mos u ndalur në asnjë moment te lirimi i pengjeve izraelite që ka qenë dhe qëllimi i luftës.
Familjet e pengjeve dhe mbështetësit e tyre protestuan pranë rezidencës së Netanyahut në Jerusalem të martën, duke e akuzuar atë për braktisjen e të dashurve të tyre.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se ishte e qartë se Izraeli nuk ka asnjë interes për një rezultat paqësor.
“Izraeli është i vendosur të shkojë deri në fund dhe nuk është i hapur për negociata serioze për një armëpushim, me pasoja dramatike nga pikëpamja e Izraelit”, deklaroi Guterres.
Zyrtarët nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) bënë me dije se janë dy divizione të përfshira në përparimin tokësor drejt qendrës së qytetit të Gazës, me një divizion që e rrethon atë. Ata vlerësuan se forca pushtuese do të përballej me deri në 3,000 luftëtarë të Hamasit dhe aleatëve të saj, dhe thanë se forcat izraelite do të përparonin me kujdes.
Disa nga armët kryesore që përdoren në ofensivë janë transportues të blinduar personeli të modelit të vjetër, të konvertuar në mënyrë që të kontrollohen nga distanca dhe të mbushur me eksplozivë.
Lini një Përgjigje