
900 të burgosur në arrati, tym e kaos ngado..
Trazirat që kanë përfshirë Nepalin gjatë dy ditëve të fundit kanë hyrë në një fazë kritike, pasi Forcat e Armatosura të vendit kanë paralajmëruar se do të marrin kontrollin e situatës në gjithë territorin, duke nisur nga ora 22:00 me orën lokale.
Në një deklaratë të ashpër, ushtria nepaleze akuzon protestuesit për shfrytëzimin e krizës politike për të ushtruar dhunë të përhapur, përfshirë djegien e pronës publike e private, vandalizimin e institucioneve shtetërore dhe, më tronditëse, shkaktimin e dy arratisjeve masive nga burgjet e vendit.
Ajo që nisi si një protestë studentore kundër ndalimit të rrjeteve sociale, është kthyer në një revoltë gjithëkombëtare kundër sistemit politik të Nepalit. Të rinjtë e Gjeneratës Z, kryesisht studentë nga universitetet në Katmandu, Pokhara dhe Itahari, kanë mobilizuar turma të mëdha në rrugë, duke akuzuar qeverinë për korrupsion sistemik, censurë dhe keqmenaxhim total të vendit.
Ndonëse ndalimi i rrjeteve sociale u tërhoq mbrëmjen e së hënës, vala e pakënaqësisë është vetëm shtuar, me thirrje për dorëheqjen e liderëve politikë dhe reformë totale të sistemit.
Burgjet bien: 900 të burgosur në arrati
Situata u përshkallëzua më tej kur protestuesit u futën në dy institucione penitenciare në perëndim të vendit:
773 të burgosur u arratisën nga burgu i Kaskit, kur protestuesit depërtuan në ambientet e sigurisë.
127 të tjerë u liruan nga burgu në Tulsipur, në provincën Dang.
Raportime të tjera të pakonfirmuara flasin për incidente të ngjashme në zona të tjera të vendit, duke ngritur shqetësime për një kolaps të sistemit të sigurisë publike.
Reagimi i ushtrisë: Nga thirrjet për qetësi te paralajmërimi për veprim
Në një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar kombit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Nepalit, gjenerali Ashok Raj Sigdel, deklaroi se ushtria është e përkushtuar për të mbrojtur unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të vendit. Ai bëri thirrje për përmbajtje, dialog dhe bashkëpunim me institucionet, duke shprehur ngushëllime për dhjetëra viktimat që tashmë kanë humbur jetën.
Por paralelisht me këtë ton pajtues, ushtria paralajmëroi zyrtarisht se nga ora 22:00 do të marrë “kontrollin e situatës”, pa dhënë detaje se çfarë do të përfshijë ky veprim. Kjo ka ngritur shqetësime se vendi mund të shkojë drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ndalimqarkullimi dhe ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake në qytetet e mëdha.
Pasojat deri tani
-Të paktën 22 të vdekur që nga shpërthimi i protestave.
-Qindra të plagosur, përfshirë civilë dhe efektivë policie.
-Parlamenti dhe shtëpitë e politikanëve të lartë janë sulmuar e vandalizuar.
-Qeveria në heshtje, ndërsa presidenti Ram Chandra Poudel bëri thirrje për zgjidhje paqësore.
Edhe pse e shkaktuar fillimisht nga një vendim teknik për rrjetet sociale, kriza aktuale pasqyron një frustrim të thellë shoqëror dhe politik, veçanërisht tek të rinjtë që ndihen të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse dhe të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura të elitës politike.
Sytë tani janë nga ushtria: a do të ushtrojë kontroll real në rrugë, apo do të përpiqet të ndërmjetësojë një zgjidhje? Gjithashtu, reagimi ndërkombëtar pritet të jetë vendimtar në ditët në vijim. India dhe Kina, dy fuqi që ndikojnë direkt në Nepalin fqinj, ende nuk kanë reaguar zyrtarisht. /Pamfleti
Lini një Përgjigje