
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka pranuar të shqyrtojë padinë mbi tarifat globale të vendosura nga Presidenti Donald Trump, duke hapur rrugën për një betejë ligjore që prek zemrën e axhendës së tij ekonomike.
Vendimi i gjykatës më të lartë vjen pasi një gjykatë më e ulët kishte shpallur të paligjshme një sërë taksash importi të vendosura nga administrata, përfshirë tarifat e njohura si “Liberation Day”, të shpallura në prill, si dhe tarifat ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë, të cilat Shtëpia e Bardhë i justifikoi si masa për të luftuar futjen e fentanyl-it në tregun amerikan.
Tarifat mbeten në fuqi
Ndërkohë që çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, tarifat do të mbeten në fuqi. Ky vendim është kritik, pasi ato përbëjnë një element kyç të politikës ekonomike të Trump, i cili i ka paraqitur si mbrojtje për industrinë amerikane dhe si mjet presioni ndaj vendeve që akuzohen për praktika të padrejta tregtare ose për trafik të substancave narkotike.
Pyetja themelore: pushteti i presidentit
Rasti ngre një çështje të madhe kushtetuese: deri ku shkon pushteti i presidentit për të vendosur tarifa emergjente pa miratimin e Kongresit?
Nëse Gjykata e Lartë vendos në favor të Trump-it, kjo do të krijonte një precedent të ri që zgjeron fuqinë e ekzekutivit mbi politikat tregtare dhe financiare. Por nëse gjykata konfirmon vendimin e mëparshëm, atëherë do të kufizojë ndjeshëm autoritetin e presidentit për të marrë vendime të njëanshme në ekonomi.
Lini një Përgjigje