Simboli i dështimit europian, merr çmimin e babait të Evropës
Sot, qyteti i Aachen-it – rezidenca e preferuar e krijuesit të Perandorisë Karolingiane dhe të idesë moderne të Europës – i dorëzoi Çmimin ‘Karl i Madh’ askujt tjetër veçse Ursula von der Leyen-it, presidente e Komisionit Europian dhe ish-ministre e Mbrojtjes së Gjermanisë, shtet pjesë e të cilit është edhe vetë qyteti.
Një çmim për Europën e bashkuar në emër të Karlit të Madh
Në vitin 1949, qyteti i Aachen-it krijoi fondacionin për Çmimin ‘Karli i Madh’ për të mbështetur përpjekjet për pajtimin europian dhe për të nisur nga synimi fisnik i vlerësimit të mësimeve të historisë europiane për të ndërtuar Europën e së nesërmes – një Europë e bashkuar, që lë pas fatkeqësitë e dy luftërave botërore dhe gjen një njësi të re. Idealja ishte që kjo të arrihej përmes boshtit franko-gjerman, nga sinergjia mes dy tokave që për shekuj – nga Lufta Tridhjetëvjeçare deri te Lufta e Dytë Botërore – kishin qenë udhëkryq ushtrish dhe përplasjesh, por që i referoheshin trashëgimisë së përbashkët të mbretit të Frankëve që u bë perandor.
Karli i Madh është simboli i Europës së bashkuar dhe unifikuese në rrëfimin kolektiv. Një perandor frank, pra “barbar”, që zhvendosi qendrën e kontinentit drejt zemrës së tij, duke përfshirë trashëgiminë kristiane dhe mësimet e Romës, duke rikthyer një Perandori të bazuar në Perëndim tre shekuj pas vitit fatal 476 pas Krishtit, vit i rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit. Perandoria e Shenjtë Romake e lindur në natën e Krishtlindjeve të vitit 800 me kurorëzimin e Karlit nga Papa Leoni III konsiderohet si embrioni i parë i Europës së sotme, dhe nga kjo vijimësi lindën paraardhëset e Francës dhe Gjermanisë moderne. Pesha simbolike e këtij çmimi është, pra, e madhe, dhe fituesit në histori kanë qenë të jashtëzakonshëm.
Tradita e gjatë e fituesve të shquar të Çmimit “Karli i Madh”
Disa emra? Nga viti 1952 deri më 1954 fituan tre ndërtuesit e Europës së bashkuar: Alcide De Gasperi, Jean Monnet dhe Konrad Adenauer. Në 1956 e mori Sir Winston Churchill, pak pas mandatit të tij të fundit si kryeministër britanik; në 1982 u nderua Mbreti Juan Carlos i Spanjës për rikthimin e demokracisë në vend; në 1991 Vaclav Havel për kthimin e demokracisë në Çekosllovaki.
Në mijëvjeçarin e ri, në vitin 2004 u nderua Papa Gjon Pali II, papa i parë që mori çmimin, pasuar dymbëdhjetë vite më vonë nga Papa Françesku. Në vitin 2005, presidenti italian Carlo Azeglio Ciampi u nderua me këtë çmim të rëndësishëm, i cili, vitet e fundit, është bërë gjithnjë e më i ndjeshëm ndaj dinamikave politike aktuale. Në vitet 2008 dhe 2012 u nderuan Angela Merkel dhe Wolfgang Schäuble – të cilët, me shtytjen e tyre të fortë politike pro-austeritetit, bënë gjithçka përveçse ta bashkonin Europën. Në vitin 2018 Emmanuel Macron u nderua më shumë për besim të ardhshëm sesa për veprime konkrete, ndërkohë që bie në sy fakti që Donald Tusk – sot kryeministër i Polonisë – e mori çmimin që në vitin 2010, në fillim të karrierës së tij qeverisëse, para se të drejtonte Këshillin Europian.
Që nga Merkel e tutje, emrat e përmendur nuk dallohen krahasuar me fituesit e së kaluarës, me përjashtim të vetë Françeskut. Bëhet fjalë për pasojë logjike të një epoke në rënie të elitës politike. Por, është vështirë të imagjinohet më poshtë se von der Leyen: presidentja e Komisionit, me hijet dhe problemet e mandatit të saj, përfaqëson të kundërtën e asaj që duhet të përfaqësojë ky çmim.
Ursula, e papërshtatshmja
E papërshtatshme në politikën ekonomike, e vonuar në fillim të pandemisë për reagimin ndaj Covid-19, ambivalente në politikat industriale të gjelbra, atlantiste e bindur dhe pengesë për një mbrojtje europiane autonome, para se të bëhej përkrahëse e një riarmatimi të shtyrë përmes devijimeve institucionale dhe retorikës emergjente; e mbyllur për një vit e gjysmë në një retorikë thellësisht filo-izraelite për Gazën, duke kuptuar pak ose aspak sfidën ruso-ukrainase; dhe, së fundmi, gjithmonë në vonesë përballë sfidës amerikane të Donald Trump – zonja Ursula ka qenë një pengesë për zhvillimin europian.
Lidershipi i saj, që nga viti 2019 deri sot, është karakterizuar nga një rënie e ndikimit gjeopolitik global të BE-së, ku ndikuan edhe zgjedhjet e diskutueshme të bashkëpunëtorëve: kujtojmë zëvendëspresidentin Valdis Dombrovskis, “skifterin” leton në çështjet buxhetore që ka mbrojtur me fanatizëm logjikën e austeritetit; apo katastrofën e politikës së jashtme europiane nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, ish-kryeministres estoneze Kaja Kallas.
Shtojmë edhe hijet e dyshimeve si rasti “Pfizergate”, që vetëm sa e dëmtojnë më shumë kauzën europiane në sytë e qytetarëve të saj, dhe kemi portretin e një presidenteje të Komisionit thjesht katastrofike që nga viti 2019 e deri sot.
Nëse Europa që frymëzohet nga Karl i Madh duhet të bashkojë dhe të ngjallë shpresë, ajo e von der Leyen rrezikon të bëjë të kundërtën. Nëse referenca te sovrani i së kaluarës duhet të jetë një element bashkimi, atëherë Ursula nuk e mishëron aspak këtë ide. Dhe, për ata që identifikohen me një Europë që përçon vlera të larta, Komisioni aktual nuk është aspak zgjedhja ideale. Është e vështirë të imagjinohet një interprete më larg nga ëndrra e etërve themelues të Europës së bashkuar sesa von der Leyen, që ëndërronin një Kontinent të Vjetër si referencë e lartë politike, ekonomike, morale dhe ideologjike për botën. Kjo gjë sot nuk ekziston më. Dhe ndër fajtorët është edhe Ursula von der Leyen – së cilës ky çmim duket se i jep një prestigj të pamerituar, duke parë nivelin e lartë të fituesve të mëparshëm. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje