Këshilltari diplomatik i Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash, reagoi publikisht për incidentin në ngushticën e Hormuzit, ku u shënjestrua një tanker i lidhur me Kompaninë Kombëtare të Naftës së Abu Dhabit, ADNOC.
Në një postim në platformën X, Gargash e cilësoi ngjarjen si pjesë të një serie aktesh të përsëritura që, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me Iranin.
Ai shkroi se: “Agresioni iranian vazhdon i pandërprerë, me akte piraterie detare që synojnë një tanker kombëtar të lidhur me Adnoc, ndërsa ai kalonte nëpër ngushticën e Hormuzit”.
Deklarata e tij e lidh incidentin konkret me një linjë më të gjerë përplasjeje në rajon, ku korridoret detare mbeten pika kritike për sigurinë energjetike dhe tregtinë ndërkombëtare. Ngushtica e Hormuzit përpunon një pjesë të konsiderueshme të trafikut global të naftës, çka e kthen çdo incident në çështje me impakt të drejtpërdrejtë gjeopolitik.
Gargash sqaroi edhe pozicionin zyrtar të Emirateve për këtë zhvillim.“Qëndrimi i Emirateve të Bashkuara Arabe mbetet i palëkundur në refuzimin e agresionit dhe në mbështetjen e lirisë së lundrimit në këtë kalim ndërkombëtar jetësor”, u shpreh ai.
Këshilltari diplomatik e mbylli reagimin duke e lidhur ngjarjen me një vlerësim më të gjerë për rolin e Iranit në rajon: “Këto sulme nënvizojnë se kërcënimi iranian për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit vazhdon dhe nuk mund të injorohet”.
Deklarata e Gargash e vendos incidentin në një kontekst përshkallëzimi, ku çdo episod në Hormuz përdoret si provë për një përballje më të gjerë politike dhe ushtarake në Gjirin Persik.
Lini një Përgjigje