Diplomacia efektive varet nga besueshmëria, qëndrueshmëria dhe një përputhje e qartë me interesat kombëtare. Diplomacia në hije e personalizuar, e errët dhe e korruptuar e administratës amerikane, nuk ofron asnjë nga këto dhe do ta lërë SHBA-në më pak të respektuar, më pak të besueshme dhe më pak efektive në skenën botërore.
Në shumicën e vendeve demokratike, një udhëheqës që ia delegon diplomacinë e një niveli të lartë anëtarëve të familjes dhe bashkëpunëtorëve të biznesit do të provokonte zemërim. Por presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përballur me pak kundërshtime për këtë veprim.
Shumë njerëz e minimizojnë diplomacinë e tij nepotike (crony diplomacy) si thjesht një “heterodoksi”. Megjithatë, pasojat afatgjata të këtij veprimi do të jenë të rënda.
Trump nuk është presidenti i parë amerikan që mbështetet te të dërguarit personalë. Por ai është i pari që i lë rregullisht mënjanë diplomatët e karrierës dhe aparatin e sigurisë kombëtare në favor të një rrethi të ngushtë besnikësh që nuk kanë as përvojën e duhur dhe as përgjegjësinë zyrtare.
Duke vepruar në këtë mënyrë, ai ka krijuar një sistem në hije të politikës së jashtme që funksionon jashtë kanaleve të vendosura të kontrollit dhe balancës. Më i spikaturi në këtë drejtim është dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.
Pavarësisht se nuk kishte përvojë paraprake në politikën e jashtme, Kushnerit iu besua detyra monumentale e ndërmjetësimit të paqes në Lindjen e Mesme dhe menaxhimi i marrëdhënieve shumë delikate me vende si Kina, Meksika dhe Arabia Saudite.
Kjo qasje ka bërë që politika e jashtme e SHBA-së të duket më shumë si një biznes familjar sesa si strategjia e një fuqie të madhe. Kjo lloj diplomacie private e minon profesionalizmin e shërbimit të jashtëm të SHBA-së.
Kur anashkalohen diplomatët e karrierës, dobësohen institucionet. Morali në Departamentin e Shtetit ka rënë ndjeshëm, pasi zyrtarët e lartë e shohin veten të përjashtuar nga takimet kyçe dhe vendimmarrja.
Ky çmontim institucional do të kërkojë vite që të riparohet, duke e lënë Amerikën me një aparat diplomatik më të dobët përballë sfidave globale në rritje. Për më tepër, diplomacia nepotike e Trumpit e mjegullon kufirin midis interesit kombëtar dhe përfitimit personal.
Kur emisarët privatë ose anëtarët e familjes merren me marrëdhënie shtetërore, lindin pashmangshmërisht pyetje nëse politikat po hartohen për të avancuar objektivat strategjikë të SHBA-së apo për të mbrojtur interesat e biznesit të familjes Trump.
Kjo mungesë transparence e gërryen besimin e publikut brenda vendit dhe besueshmërinë e Amerikës nëpër botë. Edhe aleatët e Amerikës mbeten të hutuar. Ata nuk dinë më nëse duhet të flasin me ambasadorin zyrtar, Departamentin e Shtetit, apo të kërkojnë një linjë private me rrethin e ngushtë të presidentit.
Kjo paparashikueshmëri i shtyn partnerët tradicionalë të SHBA-së të kërkojnë alternativa ose të bëjnë marrëveshje të veçanta që anashkalojnë Uashingtonin, duke dobësuar kështu arkitekturën e aleancave që e ka mbështetur për dekada fuqinë globale amerikane.
Në fund të fundit, “diplomacia e miqve” (crony diplomacy) e dëmton autoritetin moral të Amerikës. SHBA-ja ka kërkuar prej kohësh që vendet e tjera të forcojnë sundimin e ligjit dhe të çrrënjosin nepotizmin. Por kur vetë Shtëpia e Bardhë praktikon të kundërtën, këto thirrje tingëllojnë boshe.
Duke adoptuar metodat e liderëve autoritarë që ai admiron, Trump po ndihmon në normalizimin e korrupsionit politik globalisht dhe po minon forcën unike të Amerikës: sistemin e saj të hapur dhe të bazuar te rregullat.
Dëmi i shkaktuar nga kjo qasje transaksionale dhe familjare nuk do të zhduket thjesht me një ndryshim administrate. Fuqia globale e SHBA-sëmbështetet te institucionet e saj po aq sa te ushtria e saj. Duke i minuar këto institucione për interesa afatshkurtra, Trump po lë si trashëgimi një fuqi amerikane të tkurrur dhe një botë më të rrezikshme e më pak të parashikueshme./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Project Syndicate”
Lini një Përgjigje