Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar pas sulmeve të ndërmarra në Iran, të cilat ai i cilësoi si një operacion të përbashkët mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një video-mesazh drejtuar publikut, Netanyahu falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për atë që e quajti “lidership historik”, duke theksuar se veprimi i përbashkët synon të krijojë kushtet që populli iranian të marrë në dorë fatin e tij.
“Falënderoj mikun tonë të madh, Presidentin Donald Trump, për lidershipin e tij historik. Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta. Për 47 vjet, regjimi i Ajatollahëve ka bërtitur ‘Vdekje Izraelit’, ‘Vdekje Amerikës’. Ka derdhur gjakun tonë, ka vrarë shumë amerikanë dhe ka masakruar popullin e vet. Nuk mund të lejohet të pajiset me armë bërthamore që do ta lejonin atë të kërcënonte të gjithë njerëzimin”, u shpreh Netanyahu.
Ai shtoi se, sipas tij, ka ardhur koha që komunitete të ndryshme brenda Iranit, përfshirë persianët, kurdët, azerët, balukët dhe ahvazët të çlirohen nga ajo që e quajti tirani dhe të sjellin liri e paqe në vend.
Netanyahu iu drejtua edhe qytetarëve izraelitë, duke u bërë thirrje të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Ai përmendi operacionin e quajtur “Ulërima e Luanit”, duke theksuar se në ditët në vijim do të kërkohet durim dhe guxim.
“Pak më shumë se një orë më parë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një operacion për të hequr kërcënimin ekzistencial që paraqet mbretërimi i terrorit në Iran”, deklaroi ai, duke shtuar se Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të garantuar sigurinë dhe të ardhmen e tij.
Lini një Përgjigje