
Një atentat ka tronditur SHBA ditën e sotme, ku mësohet se ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Minnesota, Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj Mark, u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Brooklyn Park.
Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, Mark u qëlluan për vdekje mëngjesin e sotëm ndërsa dyshohet për një vrasje për arsye politike.
Senatori Shtetëror i Minesotës, John Hoffman, dhe gruaja e tij u shënjestruan gjithashtu nga i njëjti person, ndërsa mësohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri drejt tyre. Këta të fundit kanë mbetur të plagosur dhe i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Familja Hoffman ka dalë nga operacioni dhe janë nën kujdesin e mjekëve ndërsa ne jemi optimistë të kujdesshëm dhe ata do t'i mbijetojnë këtij atentati”, tha Guvernatori i Minesotës, Tim Walz.
Të dy ligjvënësit janë anëtarë të Partisë Demokratike-Fermer-Laboriste të Minesotës.
Autori është larguar nga vendngjarja dhe ndodhet ende në arrati. Forca të shumta policie dhe ekipe SËAT janë në kërkim të tij duke e shtrirë kërkimin në një rreze prej 3 miljesh.
Gjatë kontrolleve në automjetin e të dyshuarit, policia ka gjetur një listë me shumë ligjvënës dhe zyrtarë të tjerë të cilët i ka pasur në shënjestër për t’i ekzekutuar.
Ndërkohë, autoritetet kanë urdhëruar shtimin e sigurisë për të gjithë zyrtarët. Autoritetet po kërkojnë një person që mbante një jelek me pajisje Taser, një dëshmi dhe pajisje të ngjashme me ato të policisë. Ai është larguar në këmbë.
Shefi i policisë Bruley i bëri apel komunitetit: “Nëse dikush ju troket në derë dhe thotë se është polic, telefononi menjëherë 911 dhe konfirmoni nëse ai person është vërtet polic. Policia jonë gjithashtu është udhëzuar që të mos afrohet tek dikush vetëm, por gjithmonë në çift”.
Guvernatori Walz ka aktivizuar Qendrën e Operacioneve të Emergjencës dhe ka krijuar një Qendër e Përbashkët Informimi për të koordinuar kërkimet.
“Forcat lokale në Champlin dhe Brooklyn Park kanë mbështetjen e plotë të shtetit. Po monitorojmë situatën dhe do të ndajmë informacione të mëtejshme”, shkroi Walz në rrjetin social X.
Lini një Përgjigje