
Ka shpërthyer një përplasje e furishme – ndonëse nga larg – mes ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe legjendës së rock-ut Bruce Springsteen. Gjithçka nisi gjatë një koncerti në Manchester, Britani e Madhe, në nisjen e turneut evropian të Springsteen, “Land of Hope and Dreams”.
Në skenën britanike, Springsteen deklaroi hapur:
“Atdheu im, Amerika që e dua, Amerika për të cilën kam shkruar dhe që ka qenë një dritë shprese dhe lirie për 250 vjet, sot është në duart e një administrate të korruptuar, të paaftë dhe tradhtare.”
Kaq mjaftoi që Trump të shpërthente në platformën e tij “Truth Social” me një fjalor të pazakontë edhe për standardet e tij:
“E shoh që ky Bruce Springsteen i mbivlerësuar shkon në një vend të huaj për të folur keq për presidentin e Shteteve të Bashkuara. S’ma ka pëlqyer kurrë – as muzika, as politika e tij e majtë radikale. Mbi të gjitha, nuk është aspak i talentuar. Është vetëm një ‘i mërzitshëm’ ndërhyrës dhe i neveritshëm, që ka përkrahur me pasion mashtruesin Joe Biden – një idiot i paaftë mendor, presidenti më i keq në historinë tonë, që thuajse e shkatërroi vendin”, tha ai.
Trump vijon më tej duke e ironizuar Springsteen për pamjen fizike dhe moshën:
“Kjo ‘rrudhë e tharë’ e rock-ut duhet ta mbyllë gojën derisa të kthehet në Amerikë!”, shtoi ai.
Përplasje të tilla janë më shumë se thjesht një sherr personal: ato zbulojnë përçarjen e thellë kulturore në shoqërinë amerikane, ku figurat publike artistike gjithnjë e më shpesh bëhen zëra të fuqishëm kundër ose në mbështetje të elitave politike. Springsteen – i njohur për qëndrimet e tij progresiste – ka qenë kritik i hapur i Trump që nga fushata e vitit 2016.
Lini një Përgjigje