
Projekti ka ngecur pas një zbulimi skandaloz që përfshin përcaktimin historik të vendit - dhe vendimin për ta anuluar përcaktimin vitin e kaluar…
Vihet në dyshim vijimi i projektit të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, në Beograd që ka të bëjë me ndërtimin e një hoteli. Të gjitha pikëpyetjet lidhur me të ardhmen e projektit janë ngritur pasi autoritetet serbe kanë arrestuar ish-drejtorin e institutit më të lartë të trashëgimisë kulturore të vendit me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Projekti supozohej të ishte një ndërtesë luksoze dhe elegante në horizontin e Beogradit: një hotel luksoz dhe kompleks banimi me vlerë 500 milionë dollar, i ndërtuar mbi zyrën e dëmtuar të Ministrisë së Mbrojtjes që u bombardua nga avionët e NATO-s në vitet 1999.
Njeriu që udhëhoqi këtë përpjekje nuk ishte askush tjetër përveç Jared Kushner, i cili është i martuar me njërën nga vajzat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, dhe ky pritej të ishte kompleksi i parë i tillë i Trump në Evropë.
Projekti është stopuar pas zbulimit skandaloz . Prokurorët serbë njoftuan më 14 maj se zyrtari përgjegjës për përcaktimin historik të vendit kishte falsifikuar një dokument kyç dhe ishte arrestuar. Goran Vasic, drejtori në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, pranoi se kishte falsifikuar mendimin e një eksperti.
Ai dyshohet se falsifikoi dokumentet për të lehtësuar një projekt të diskutueshëm të pasurive të paluajtshme të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, thanë prokurorët në Beograd.
Goran Vasic, i cili drejtoi Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (RZZSK), akuzohet për falsifikim të një dokumenti që i lejoi qeverisë serbe t'i hiqte statusin e monumentit ndërtesës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm Jugosllav në qendër të Beogradit, duke i hapur rrugën zhvillimit të një kompleksi luksoz të markës Trump.
Zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar tha se Vasiç tejkaloi autoritetin e tij zyrtar dhe kreu “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të një dokumenti zyrtar”, akuza që mbartin dënime me burg sipas kodit penal të Serbisë.
Ndërtesa, e shkatërruar nga sulmet ajrore të NATO-s gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, ka qenë prej kohësh një simbol i fuqishëm i vuajtjeve të Serbisë gjatë luftës. Plani për ta zëvendësuar atë me një hotel dhe rezidenca luksoze ka shkaktuar tashmë një reagimtë gjerë nga grupet e shoqërisë civile, arkitektët dhe partitë opozitare, të cilët argumentojnë se vendi duhet të ruhet si një memorial kombëtar.
Projekti po zhvillohet nga firma e investimeve të Kushner me seli në Miami, Affinity Partners, në bashkëpunim me manjatin e pronave në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar.

Kushner, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, ndau imazhe dixhitale të kompleksit të propozuar në mars.
Shitjet janë planifikuar të fillojnë në mesin e vitit 2025.
Kritikët e shohin sipërmarrjen si një lëvizje politike nga qeveria serbe për të fituar mbështetjen e qeverisë amerikane. Trump kishte shprehur interes për herë të parë për vendin në Beograd në vitin 2014. Në muajt e fundit, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka zhvilluar disa takime të profilit të lartë me Kushnerin dhe djalin e madh të Trumpit, Donald Trump Jr., i cili vizitoi Beogradin në prill.
“Propozimi i falsifikuar, i bërë pa konsultim me profesionistët, iu dërgua qeverisë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës”, thanë prokurorët në një deklaratë.
Qeveria zyrtarisht e revokoi statusin kulturor të vendit më 14 nëntor 2024.
Sipas medias lokale N1, hetimi u nis pas një kallëzimi penal anonim, me agjentë të inteligjencës serbe dhe të Ministrisë së Brendshme që më vonë i morën dokumentet e dyshuara të falsifikuara nga instituti.
Vasiç, i cili nuk është i certifikuar si ekspert, nuk kishte kualifikimet e kërkuara për të autorizuar ndryshime në pronat kulturore të mbrojtura, shton raporti.
Arrestimi vjen mes një vale të gjerë protestash antiqeveritare të nxitura nga zemërimi publik për korrupsionin dhe dështimet institucionale.
Më 24 mars, mijëra serbë dolën në rrugë për të shënuar përvjetorin e fushatës së bombardimeve të NATO-s, duke u tubuar kundër zhvillimit të planifikuar. Protestuesit dënuan atë që e përshkruan si "komercializim të tragjedisë kombëtare" dhe akuzuan zyrtarët për tradhti të trashëgimisë së Serbisë.
Projekti i Beogradit, një nga disa nisma të financuara nga jashtë që synojnë transformimin e kryeqytetit serb në prag të Expo 2027, mbetet një pikë e nxehtë politike në diskursin publik gjithnjë e më të polarizuar të vendit.
Projekti i Kushner në Beograd -- Trump International Hotel -- u njoftua me bujë të madhe në mars të vitit 2024. Së bashku me një tjetër zhvillim luksoz në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, ai ishte një investim i madh në Ballkan dhe zhvillimi i parë i markës Trump në të gjithë Evropën.
Sipas kushteve të marrëveshjes, toka do t'i jepej me qira kompanisë së Kushnerit për 99 vjet.
Ndërsa disa ndërtesa aty pranë janë rindërtuar mes një bumi në tregun e pasurive të paluajtshme në Beograd, dy strukturat e dëmtuara kanë mbetur, të përcaktuara si struktura historike dhe të cilëve u është dhënë statusi i mbrojtjes.
Nëntorin e kaluar, qeveria serbe vendosi t’u hiqte ndërtesave përcaktimin e trashëgimisë kulturore, duke i hapur rrugën kompanisë së Kushnerit që të ecë përpara me zhvillimin e një kompleksi hotelier.
Ky vendim u bazua kryesisht te Vasiç, i cili ishte emëruar drejtor i institutit të mbrojtjes kulturore pesë muaj më parë, pasi drejtori i atëhershëm i institutit refuzoi të hiqte përcaktimin kulturor për vendin.
Pas vendimit, punonjësit e institutit u ankuan se procesi shkeli procedurat ligjore.
Pas pranimit të falsifikimit, aktivistët dhe avokatët i bënë thirrje qeverisë serbe të anulojë jo vetëm vendimin që i hiqte vendin statusin e mbrojtur, por të gjithë projektin e zhvillimit.
“Ne presim që qeveria, në dritën e këtyre zhvillimeve dhe akuzave për falsifikim dokumentesh, të rishikojë urgjentisht vendimin për heqjen e mbrojtjes për këtë aset të jashtëzakonshëm kulturor”, tha Vesna Marjanovic, e cila drejton një organizatë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të quajtur Europa Nostra Serbia.
Jovan Rajic, një avokat dhe kryetar i Institutit Rregullator për Energjinë e Rinovueshme dhe Mjedisin, i bëri thirrje qeverisë që ta ndalojë projektin e zhvillimit për momentin.
"Të gjitha negociatat me investitorin duhet të pezullohen menjëherë derisa autoritetet kompetente të marrin një vendim", tha Rajic. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje